Familjet që përfitojnë bonus qiraje pasi lirojnë banesat pa leje të përjashtuara nga legalizimi do të mbështeten financiarisht për pesë vjet, nga tre që parashikonte skema. Qeveria ka miratuar zgjatjen dyvjeçare të trajtimit, duke përfshirë edhe personat që ishin njohur si përfitues më parë.
Ndryshimi është miratuar në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të 28 tetorit dhe prek vendimin nr. 409, datë 15 qershor 2022, për trajtimin e poseduesve të ndërtimeve pa leje që nuk legalizohen.
Bonusi është mbështetje financiare për përballimin e qirasë pas lirimit të godinës. Ai lidhet me një kategori të përcaktuar përfituesish, ku mund të përfshihen edhe familjet, banesat e të cilave preken nga projekte publike dhe përjashtohen nga legalizimi.
Sipas vendimit bazë, për të përfituar bonusin, subjekti i njohur për trajtim nuk duhet të zotërojë banesë tjetër në të njëjtën bashki, të ligjshme ose pa leje por të legalizueshme. Përfitimi kërkon ndjekjen e procedurave dhe lidhjen e marrëveshjes me institucionin përgjegjës.
Afati i mbështetjes llogaritet nga nënshkrimi i marrëveshjes dhe lirimi i godinës. Me ndryshimin e ri, periudha totale zgjatet në pesë vjet.
Vendimi përcakton shprehimisht se zgjatja zbatohet edhe për subjektet që janë njohur si përfituese përpara hyrjes së tij në fuqi. Kështu, ndryshimi përfshin edhe përfituesit e mëparshëm, të cilëve u shtohen dy vite në kohëzgjatjen e trajtimit.
Akti ndryshon afatin e mbështetjes dhe nuk përcakton rritje të shumës mujore të bonusit. Masa nuk ndryshon statusin juridik të ndërtimeve të përjashtuara nga legalizimi. /skyweb.al















