Thuajse një vit pas shpërthimit të skandalit të AKSHI-t, i pasuar nga ai i Durana Tech Park, projekti i portretizuar si një “parajsë fiskale” në mes të Shqipërisë vijon të prezantohet përmes maketeve. Ndërkohë, në lëndinën e Xhafzotajt ku parashikohet ndërtimi i tij ende kullosin lopët.
Parku do të shërbente për të shmangur taksat mbi fitimet nga kontratat e AKSHI-t, vazhdon të reklamohet si histori suksesi.
EKSKLUZIVE / Skandali AKSHI, SPAK shtrin hetimet edhe te DURANA Tech Park
Gjatë ditës së djeshme, drejtuesit e Durana Tech Park shpërndanë një njoftim sipas të cilit modeli i projektit është përzgjedhur për t’u prezantuar në Konferencën Botërore të Parqeve Shkencore dhe Zonave të Inovacionit në Cannes të Francës.
Në të njëjtin njoftim deklarohet se Durana ka 88 kompani rezidente, pesë të tjera në proces vlerësimi dhe rreth 750 të punësuar. Por vetë drejtuesit pranojnë se projekti po kalon nga funksionimi virtual drejt zhvillimit të infrastrukturës fizike.

Pra, kompanitë janë regjistruar, ndërsa parku mbetet ende për t’u ndërtuar. Dëgjesa e parë publike për vlerësimin mjedisor të planit të zhvillimit është mbajtur vetëm më 26 tetor.
Pikërisht regjistrimi i kompanive përpara ndërtimit të parkut, pra funksionimi virtual siç kanë qejf ta prezanotjnë, ishte një nga elementet që ngriti pikëpyetje në raportimet e Skyweb.al për lidhjen e Duranës me dosjen AKSHI.
Skema e dyshuar synonte që aktiviteti i kompanive përfituese të tenderëve të kalonte te subjekte të reja, të regjistruara në park, për të përfituar një regjim taksash thuajse zero.
Kjo përgatitje përkonte me heqjen e normës preferenciale 5 për qind për IT-në dhe rikthimin e tatimfitimit 15 për qind nga fillimi i vitit 2026. Përjashtimet fiskale të Duranës shiheshin si rruga për të shmangur këtë detyrim.
Ligji ndalon transferimin e një aktiviteti ekzistues në park vetëm për përfitim fiskal. Sipas verifikimeve të Skyweb.al, krijimi i kompanive me emra të rinj synonte anashkalimin e kësaj pengese, ndërsa lidhjet ekonomike me subjektet ekzistuese mbeteshin.
Mes kompanive të evidentuara në këto raportime ishin KronoTech, Test & Tech, CyberMind, Box Artificial Logic dhe Data Storm. Lidhjet e tyre me subjektet e dosjes AKSHI ngritën dyshime për një vazhdimësi të aktivitetit përmes strukturave të reja.
Kompanitë dhe përfituesit e dyshuar
Sipas të dhënave të disponueshme, në Durana Tech Park janë regjistruar dhjetëra kompani, një pjesë e të cilave dyshohet se lidhen me persona të përfshirë në dosjen e AKSHI-t. Mes emrave të përmendur në verifikime rezultojnë biznesmenë si Ermal Beqiri dhe Ergys Agasi, si dhe kompani të lidhura me ta.
Po ashtu, në listën e subjekteve të regjistruara përmenden kompani të lidhura me Bledar Dhimën, Renis Tërshanën, Gëzim Hoxhën, Jona Bojdarën, Sara Agon, Rigels Hoxhën, Kreshnik Rexhën, Arjola Koromanin, Ervin Mançen, Gjergji Robon, Henklajd Sunashin, Xheni Kobuzin dhe të tjerë.
SPAK po verifikon nëse regjistrimi i këtyre subjekteve në Durana është përdorur për favorizim dhe shmangie taksash dhe nëse ekziston një lidhje funksionale mes këtij projekti dhe skemës së hetuar në dosjen AKSHI.
Lidhja me dosjen AKSHI
Verifikimet e SPAK për Durana lidhen me hetimet për AKSHI-n, ku është dokumentuar një skemë e shpërndarjes së tenderëve publikë te një numër i kufizuar kompanish, përmes kostove të fryra dhe ndikimit në proceset e prokurimit. Hetimet kanë treguar se këto kompani përfitonin fonde publike dhe, sipas dyshimeve, shmangnin detyrimet fiskale.
Në këtë kuadër, Durana po shihet si një hallkë shtesë e së njëjtës skemë, ku përfitimi shtrihej si në fondet publike ashtu edhe në regjimin fiskal të favorshëm, duke i shkaktuar dëm të dyfishtë buxhetit të shtetit.
LISTA ME KOMPANITË E REGJISTRUARA NË DURANA TECH PARK
















