Bizneset që pësuan dëme materiale gjatë protestave të zhvilluara nga 13 deri më 22 tetor 2026 do të mund të kërkojnë kompensim nga shteti, duke aplikuar pranë administratës tatimore. Përfitimi do të kushtëzohet nga dokumentimi i dëmit dhe verifikimi se ai është shkaktuar gjatë tubimeve të dhunshme.
Akti normativ i miratuar nga qeveria përfshin në skemë subjektet me qarkullim vjetor deri në 14 milionë lekë, sipas deklaratës së vitit 2025. Kompensimi parashikohet të mbulojë vlerën e plotë të dëmit të vlerësuar për pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme, duke marrë parasysh mbulimin nga sigurimi.
Për të nisur procedurën, biznesi duhet të paraqesë kërkesën pranë Tatimeve, së bashku me dokumentet që provojnë vlerën e sendeve të dëmtuara ose të shkatërruara. Nëse disponon prova për rrethanat e ngjarjes apo personat përgjegjës, duhet t’i bashkëngjisë edhe ato.
Administrata tatimore ka pesë ditë pune për t’ia përcjellë dokumentacionin Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit. Më pas, ministria do t’i kërkojë Policisë së Shtetit të verifikojë lidhjen e dëmit me protestat.
Policia do të ketë 30 ditë për të kontrolluar nëse dëmtimi është shkaktuar nga protestuesit gjatë tubimeve të dhunshme. Ky është afati i verifikimit dhe nuk përbën afat për pagesën e kompensimit.
Identifikimi i autorit nuk do të jetë kusht për përfitimin. Biznesi mund të kompensohet edhe kur personi përgjegjës nuk është zbuluar, për sa kohë konfirmohet se dëmi lidhet me tubimin e dhunshëm. Në mungesë të provave të mjaftueshme për këtë lidhje, kërkesa do të refuzohet.
Skema përfshin pasuritë e pasiguruara dhe rastet kur kontrata e sigurimit nuk mbulon dëmet nga trazirat apo aktet e dhunshme. Nëse siguruesi paguan vetëm një pjesë të dëmit, shteti do të kompensojë pjesën e pambuluar.
Pagesat do të përballohen nga buxheti i ministrisë përgjegjëse për ekonominë. Pasi biznesi të jetë kompensuar, shteti do të kërkojë rikuperimin e shumës nga përgjegjësit për dëmtimin.
Kur identifikohet shkaktari, Policia njofton Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit, e cila ia përcjell informacionin Avokaturës së Shtetit. Kjo e fundit do t’i kërkojë personit përgjegjës kthimin e shumës së paguar për kompensimin.
Nëse detyrimi nuk shlyhet vullnetarisht brenda 30 ditëve, Avokatura e Shtetit do të ngrejë padi për kthimin e parave. Sipas aktit normativ, përgjegjësia për dëmshpërblimin shtrihet edhe te personi juridik apo organizata që ka organizuar protestën e dhunshme.















