Aftësia e adoleshentëve për të kontrolluar sjelljen dhe për t’u rezistuar tundimeve të çastit mund të lidhet ngushtë me mënyrën se si veprojnë prindërit e tyre. Ky është përfundimi i një studimi të Universitetit të Virxhinias Perëndimore në SHBA, të publikuar nga media italiane Focus.
Në studim morën pjesë 213 adoleshentë dhe prindërit e tyre. Studiuesit konstatuan ngjashmëri në mënyrën se si të dyja palët ushtrojnë vetëkontroll në situata të ndryshme të jetës së përditshme.
Megjithatë, ende nuk është përcaktuar nëse këto ngjashmëri lidhen kryesisht me trashëgiminë gjenetike apo me ndikimin e mjedisit familjar dhe përvetësimin e sjelljeve të prindërve. Sipas studiuesve, të dy faktorët mund të ndikojnë në zhvillimin e kësaj aftësie.
Rezultatet treguan gjithashtu se disiplina e prindërve në një fushë të jetës mund të shoqërohet me sjellje të ngjashme te fëmijët në një fushë tjetër. Kështu, nënat që tregonin disiplinë në punë kishin më shumë gjasa të kishin fëmijë të disiplinuar në shkollë. Ndërsa vetëkontrolli i përgjithshëm i baballarëve lidhej me një menaxhim më të përgjegjshëm të parave nga ana e adoleshentëve.
Lidhja më e dukshme u identifikua në zakonet që lidhen me shëndetin. Prindërit që ushqeheshin në mënyrë të shëndetshme, flinin mjaftueshëm dhe kryenin aktivitet fizik kishin më shumë gjasa që edhe fëmijët e tyre të ndiqnin të njëjtin stil jetese.
Gjetjet nënvizojnë rëndësinë e rolit të familjes në formimin e sjelljeve gjatë adoleshencës. Përtej faktorëve gjenetikë, mënyra se si prindërit organizojnë jetën e tyre dhe përballen me përgjegjësitë e përditshme mund të shërbejë si model për fëmijët.
Studimi sugjeron se shembulli i prindërve mund të ketë rëndësi në zhvillimin e vetëkontrollit, të disiplinës dhe të zakoneve të shëndetshme, aftësi që i ndihmojnë adoleshentët të marrin vendime më të përgjegjshme. /skyweb.al
















