Mushkonjat konsiderohen ndër kafshët më vdekjeprurëse në botë për shkak të sëmundjeve që transmetojnë. Monitorimi i tyre mund t’i ndihmojë shkencëtarët të zbulojnë viruset që qarkullojnë në mjedis përpara se ato të përbëjnë rrezik për njerëzit.
Për të kuptuar më mirë viruset dhe bakteret që gjenden në mjedis, Dana Price, entomolog në Universitetin Rutgers në Shtetet e Bashkuara, ka zhvilluar një pajisje që analizon mbetjet e lëngshme të mushkonjave.
Pajisja, të cilën Price e ka quajtur “tualeti i mushkonjave”, mbledh sasi të vogla lëngu të nxjerra nga insektet, të cilat më pas analizohen për të identifikuar gjurmë gjenetike të patogjenëve.
“Pyetja jonë është: a gjendet ky virus në mjedis? Mjafton ta kërkosh. Nëse nuk e kërkon, nuk do ta gjesh”, tha Price për Euronews.
Sipas tij, rezultatet tregojnë se gama e viruseve me të cilat mushkonjat mund të infektohen natyrshëm është shumë më e gjerë nga sa mendohej më parë.
Kjo pajisje mund t’u japë shkencëtarëve një avantazh në reagimin ndaj viruseve të reja. Price shpjegoi se zbulimi i gjurmëve të COVID-19 përpara se virusi të kalonte te njerëzit mund t’u kishte dhënë studiuesve një epërsi të konsiderueshme për të kuptuar virusin dhe për të zhvilluar vaksina.
Pajisja përbëhet nga një hinkë e printuar në 3D, e veshur me një material që largon ujin. Kjo bën që lëngu të formojë pika dhe të rrëshqasë drejt një tubi grumbullues.
Në eksperiment, studiuesit vendosën 50 mushkonja të llojit Culex, të mbledhura në një kopsht në Nju Xhersi, brenda pajisjes. Insektet ushqeheshin me një copë pambuku të lagur me ujë me sheqer dhe ngjyrues të kuq ushqimor.
Mbetjet e tyre, që përmbanin gjurmë gjenetike të viruseve dhe organizmave të tjerë, u grumbulluan gjatë 18 orëve dhe më pas u analizuan në laborator.
Ndryshe nga metodat tradicionale, të cilat kërkojnë kapjen dhe bluarjen e mushkonjave, analiza e mbetjeve të tyre redukton sasinë e ADN-së së mushkonjave në mostër. Kjo e bën më të lehtë zbulimin e materialit gjenetik të viruseve.
Përmes kësaj pajisjeje, ekipi identifikoi provat e para të njohura në kontinentin amerikan për një virus të ngjashëm me grupin Hedwig dhe zbuloi disa viruse që mund të jenë të panjohura për shkencën.
Studiuesit arritën gjithashtu të rikuperonin gjenomin e plotë të virusit të Nilit Perëndimor. Ky zbulim tregon se mbetjet e mushkonjave mund të përmbajnë material gjenetik me cilësi të mjaftueshme për të rindërtuar të gjithë kodin gjenetik të një virusi, duke mundësuar identifikimin e varianteve dhe mutacioneve specifike.
Megjithatë, Price theksoi se rezultatet e studimit nuk përbëjnë arsye për alarm.
Zbulimi i viruseve të panjohura më parë, ose identifikimi i tyre në zona ku nuk ishin evidentuar më herët, nuk do të thotë domosdoshmërisht se ato përbëjnë rrezik për njerëzit. Sipas tij, kjo mund të tregojë thjesht se viruset kanë qarkulluar në mjedis pa u zbuluar deri më tani. /skyweb.al
















