Pushime të planifikuara sipas nevojave të qenit, shpenzime të veçanta në buxhetin familjar dhe një përditshmëri e organizuar rreth kujdesit për të. Për shumë njerëz, kafsha shtëpiake ka marrë një rol që shkon përtej shoqërisë: trajtohet si fëmijë dhe bëhet pjesë qendrore e familjes.
Pas këtij ndryshimi mund të qëndrojnë vetmia dhe izolimi social. Kjo është hipoteza që po shqyrtojnë studiuesit e Universitetit Eötvös Loránd në Budapest, sipas etologes Borbála Turcsán.
Në një studim të publikuar në revistën Scientific Reports, 717 persona vlerësuan marrëdhënien me qenin e tyre dhe me njerëzit më të afërt, përmes 13 treguesve. Në shumicën e tyre, lidhja me qenin mori vlerësime më të larta sesa marrëdhëniet me prindërit, motrat e vëllezërit, miqtë e ngushtë dhe shpesh edhe partnerët.
Marrëdhënia me fëmijët u vlerësua më lart se ajo me qentë, por diferenca ishte e vogël dhe vetëm në disa prej treguesve. Një nga gjetjet që befasoi studiuesit ishte besimi më i madh i pjesëmarrësve te dashuria pa kushte e qenit sesa te ajo e nënës.
Sipas Turcsán, familjet më të vogla, individualizmi dhe urbanizimi e kanë bërë më të vështirë krijimin e lidhjeve mes njerëzve. Në këto kushte, kafshët mund të ofrojnë një mënyrë për të përmbushur nevojën për afërsi, përkujdesje dhe shoqëri.
Studiuesja e sheh trajtimin e qenve si fëmijë si pasojë të ndryshimeve shoqërore dhe rënies së lindshmërisë, jo si shkakun e saj. Lidhja bashkon përgjegjësinë për një qenie të varur nga kujdesi ynë me konfliktet relativisht të pakta që karakterizojnë një miqësi.
Megjithatë, përkushtimi nuk përkthehet gjithmonë në mirëqenie për kafshën. Ushqimi i tepërt, kufizimi i lëvizjes apo përdorimi i produkteve kozmetike mund të kënaqin pronarin, ndërsa qenit t’i krijojnë vështirësi.
Studimi gjeti gjithashtu se njerëzit me marrëdhënie më të forta njerëzore kishin edhe lidhje më të forta me qentë.
Kjo tregon se kafsha nuk shërben domosdoshmërisht si zëvendësim për një marrëdhënie njerëzore që mungon, megjithëse kampioni vullnetar mund të mos përfaqësojë mjaftueshëm personat më të izoluar. /skyweb.al
















