Bordi i Transparencës ka caktuar çmimet e reja të shitjes së karburanteve në vend. Sipas vendimit të marrë këtë të mërkurë, 4 nëntor, një litër naftë do të tregtohet me jo më shumë se 216 lekë, ndërsa benzina me jo më shumë se 172 lekë.
Konkretisht, çmimi i shitjes me pakicë i naftës (gazoil) nuk duhet të kalojë 216 lekë për litër, ndërsa ai me shumicë është përcaktuar në jo më shumë se 204 lekë për litër.
Sa i përket benzinës, çmimi me pakicë do të jetë jo më shumë se 172 lekë për litër, ndërsa ai me shumicë nuk duhet të kalojë 160 lekë për litër.
Çmimet e reja hyjnë në fuqi sot, në orën 14:00, dhe do të mbeten të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, kur do të rishikohen në varësi të lëvizjeve në treg.
Bordi i Transparencës u ka tërhequr vëmendjen operatorëve të tregtimit me shumicë dhe pakicë për detyrimin e zbatimit të këtyre çmimeve. Në rast konstatimi të shkeljeve, parashikohet pezullimi i aktivitetit.
Vendimi është marrë në kuadër të masave për monitorimin e tregut të hidrokarbureve dhe kufizimin e përkohshëm të çmimeve, në mbështetje të akteve ligjore në fuqi.















