Shqipëria është përfshirë në listën e 12 destinacioneve turistike të rekomanduara nga ekspertët e udhëtimit, në një artikull të publikuar nga gazeta britanike “The Times”, me autor Sean Newsom.
Vendi ynë rekomandohet për një udhëtim shtatëditor në fund të prillit, periudhë e favorshme për të eksploruar bukuritë natyrore dhe trashëgiminë kulturore, përpara nisjes së sezonit të lartë turistik.
Në itinerarin “Albania Discovered”, të organizuar nga agjencia britanike Travelsphere, përfshihen vizita në Parkun Arkeologjik të Apolonisë, Kalanë e Beratit dhe Rivierën Shqiptare.
Paketa përfshin shtatë netë akomodim me mëngjes dhe fluturimet, ndërsa çmimi është ulur me 15%, duke arritur në 1,479 paund për person.
Përfshirja në këtë përzgjedhje e vendos Shqipërinë mes destinacioneve të rekomanduara për turistët britanikë, duke promovuar potencialin e saj për turizëm kulturor dhe natyror edhe jashtë sezonit veror. /skyweb.al
















