Unioni Turistik Shqiptar shpreh shqetësimin për ndryshimet e propozuara në Paketën Fiskale 2027, veçanërisht për rritjen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) për turizmin nga 6% në 10% dhe të tatimit mbi dividendin nga 8% në 15%. Sipas Unionit, këto masa mund të rëndojnë klimën e biznesit, të frenojnë investimet private dhe të dobësojnë konkurrueshmërinë e Shqipërisë përballë destinacioneve të tjera të rajonit.
Në deklaratën e tij, Unioni thekson se turizmi është një nga motorët kryesorë të zhvillimit ekonomik të vendit dhe se çdo ndryshim fiskal duhet të marrë parasysh ndikimin që mund të ketë te sipërmarrjet.
“Ne jemi të mendimit se këto ndryshime rëndojnë më tej klimën e biznesit, dobësojnë konkurrueshmërinë e ekonomisë shqiptare dhe frenojnë investimet private”, thuhet në deklaratë.
Megjithatë, përfaqësuesit e sektorit sqarojnë se kanë kërkuar prej tre vitesh unifikimin e TVSH-së në masën 10% për të gjitha shërbimet turistike, me synimin për të thjeshtuar procedurat dhe për të krijuar kushte më të favorshme konkurrimi.
“Ne si Union Turistik kemi kërkuar që para 3 vitesh që të kemi një TVSH 10% për të gjitha shërbimet që përfshijnë sektorin e turizmit, sepse kjo do ta thjeshtonte procedurën dhe do na bënte më konkurrues me vendet e tjera të rajonit tonë”, thekson Unioni.
Në argumentet e tij, Unioni Turistik i referohet edhe normave të TVSH-së në vendet e rajonit. Sipas deklaratës, Greqia aplikon një normë prej 13% për shërbimet turistike të përfshira në krahasim, ndërsa Maqedonia e Veriut aplikon 5% për akomodimin dhe 10% për shërbimet e tjera turistike.
Përfaqësuesit e sektorit nënvizojnë se rritja e TVSH-së në 10% do ta afronte Shqipërinë me Italinë, por argumentojnë se ky vend nuk është një pikë e drejtpërdrejtë krahasimi për shkak të dallimeve mes dy destinacioneve.
Shqetësim tjetër për bizneset është rritja e propozuar e tatimit mbi dividendin nga 8% në 15%. Unioni sjell në vëmendje normat më të ulëta që aplikohen në disa vende të rajonit, duke argumentuar se rritja e taksës do ta vendoste sipërmarrjen shqiptare në një pozicion më pak konkurrues.
“Greqia e ka 5% dhe Kroacia e ka 10%. Rritja nga 8% në 15% do ta vendoste Shqipërinë mbi Greqinë dhe Kroacinë”, thuhet në deklaratë.
Sipas Unionit, ndryshimet fiskale mund të krijojnë vështirësi të veçanta për sezonin turistik të vitit 2027, pasi bizneset kanë lidhur paraprakisht kontratat me operatorët ndërkombëtarë dhe kanë përcaktuar çmimet për shërbimet që do të ofrojnë.
“Qeveria duhet të ketë parasysh edhe faktin se kjo rritje nuk mund t’u kalohet automatikisht klientëve, në kushtet kur kontratat me operatorët ndërkombëtarë për sezonin 2027 janë nënshkruar dhe çmimet për sezonin e ardhshëm janë fiksuar muaj më parë”, thekson Unioni Turistik Shqiptar.
Përballë këtyre shqetësimeve, Unioni kërkon rishikimin e masave që rrisin barrën fiskale mbi sipërmarrjen, hapjen e një procesi real konsultimi me organizatat përfaqësuese të biznesit përpara miratimit përfundimtar të paketës, si dhe parashikimin e periudhave tranzitore për ndryshimet që prekin kontratat e lidhura dhe planet e investimit.
Në përfundim, Unioni sqaron se nuk është kundër reformës fiskale, por kërkon që ajo të synojë luftën kundër evazionit dhe informalitetit, eliminimin e konkurrencës së pandershme dhe përmirësimin e administrimit të të ardhurave publike.
“Ne nuk jemi kundër reformës fiskale, përkundrazi, jemi për një reformë që lufton evazionin, lufton informalitetin, konkurrencën e pandershme dhe përmirëson administrimin e të ardhurave publike, garanton drejtësi në taksim, pa dëmtuar zhvillimin ekonomik të vendit”, përfundon deklarata e Unionit Turistik Shqiptar. /skyweb.al
















