Qeveria po përgatit regjistrimin e detyrueshëm të çdo apartamenti, vile, banese apo dhome që jepet me qira afatshkurtër, përfshirë përmes platformave Airbnb dhe Booking. Identifikimi i njësive synon formalizimin e këtij tregu dhe krijon mundësi për kontroll më efektiv të detyrimeve tatimore.
Projektligji i ri “Për turizmin”, i konsultuar nga skyweb.al, parashikon që regjistrimi të kryhet në e-Albania, përpara fillimit të aktivitetit. Çdo njësi do të pajiset me një kod unik, i cili duhet të shfaqet në çdo ofertë, reklamë apo publikim në platformat e rezervimit.
Regjistrimi do të bëhet për çdo pronë më vete. Një person apo biznes që administron disa apartamente duhet të regjistrojë secilin prej tyre, pavarësisht se aktiviteti menaxhohet nga i njëjti subjekt.
Në këtë mënyrë, institucionet do të kenë një regjistër të njësive që ofrojnë akomodim dhe mundësi për të dalluar ofertat e regjistruara nga ato që ushtrojnë aktivitet jashtë sistemit.
Nga pikëpamja fiskale, ky identifikim mund të shërbejë si bazë për verifikimin e të ardhurave të deklaruara dhe pagesës së tatimeve. Megjithatë, drafti nuk përcakton një procedurë automatike që nis me regjistrimin dhe përfundon me vendosjen e një takse të re.
Detyrimi për deklarimin e të ardhurave nga Airbnb dhe Booking ekziston tashmë. Administrata Tatimore ka kërkuar deklarimin përmes DIVA-s edhe nga individët që realizojnë mbi 50 mijë lekë të ardhura vjetore për të cilat nuk është mbajtur tatim në burim.
Ndërhyrja e propozuar synon ta bëjë më të gjurmueshëm aktivitetin, duke shtuar identifikimin e detyrueshëm të pronës krahas deklarimit të të ardhurave. Vetë neni 48 nuk cakton një normë të re tatimore apo tarifë regjistrimi. /skyweb.al















