Plakja e popullsisë dhe pakësimi i brezave të rinj sjellin në vëmendje ndryshimin e kërkesës për shërbime shëndetësore. Gjatë vitit 2025, vizitat në konsultoret e grave dhe fëmijëve ranë, ndërsa përdorimi i kujdesit shëndetësor parësor shënoi rritje.
Sipas publikimit të INSTAT-it “Treguesit e kujdesit shëndetësor dhe aksidenteve në punë, 2025”, të konsultuar nga skyweb.al, gjatë vitit të kaluar u kryen rreth 9,2 milionë vizita në kujdesin parësor, 2,9% më shumë se në vitin 2024.
Personat mbi 60 vjeç përbënin 34% të vizitave në qendrat shëndetësore dhe ambulanca. Rreth një në tre vizita në këto institucione u krye nga kjo grupmoshë, duke treguar peshën e konsiderueshme të të moshuarve në përdorimin e shërbimeve.
Në kahun tjetër, në konsultorin e fëmijës u realizuan rreth 697 mijë vizita, me rënie 4,7% kundrejt një viti më parë.
Në këto shërbime u regjistruan rreth 223 mijë fëmijë, me një mesatare prej 3,1 vizitash për fëmijë gjatë vitit.
Rënie pati edhe në konsultorin e gruas, ku u regjistruan gjithsej 181.908 vizita, ose 1,6% më pak se në vitin 2024.
Pjesën më të madhe të tyre, 75,2%, e përbënin vizitat obstetrikale, të lidhura me kujdesin gjatë shtatzënisë, ndërsa 24,8% ishin gjinekologjike.
Pakësimi i fëmijëve dhe i popullsisë në moshë riprodhuese është një faktor demografik që mund të ndikojë në uljen e kërkesës për këto shërbime, përballë nevojave të vazhdueshme shëndetësore të moshave të vjetra.
Ndërkohë, nga vizitat e përgjithshme në kujdesin parësor, 42,2% u realizuan në qendra shëndetësore, 34,1% në poliklinika dhe 23,7% në ambulanca. /skyweb.al















