Një pacient në spitalet publike të Shqipërisë qëndroi mesatarisht 4,5 ditë gjatë vitit 2025, kundrejt 5,1 ditëve në vitin 2021. Kohëzgjatja mesatare e qëndrimit është shkurtuar me 0,6 ditë, ose rreth 12%.
Të dhënat përfshihen në publikimin e INSTAT-it “Treguesit e kujdesit shëndetësor dhe aksidenteve në punë, 2025”, të konsultuar nga skyweb.al.
Shkurtimi i qëndrimit mesatar ka ndodhur ndërkohë që institucionet publike të shërbimit spitalor kanë regjistruar më shumë pacientë të dalë pas trajtimit.

Gjatë vitit 2025, numri i tyre arriti në 304.614, nga 243.774 në vitin 2021. Kjo përbën një rritje me 60.840, ose afërsisht 25%, përgjatë kësaj periudhe.
Ecuria e qëndrimit mesatar nuk ka qenë e njëtrajtshme. Nga 5,1 ditë në vitin 2021, treguesi zbriti në 4,6 ditë në vitin 2022, për t’u rritur në 4,8 ditë gjatë vitit 2023.
Më pas, mesatarja u ul në 4,7 ditë në vitin 2024 dhe në 4,5 ditë në vitin 2025, niveli më i ulët i periudhës së paraqitur.
Vetëm kundrejt vitit 2024, numri i pacientëve të dalë nga spitalet publike u shtua me 7.148, ndërsa qëndrimi mesatar u shkurtua me 0,2 ditë.
Treguesi prej 4,5 ditësh përfaqëson mesataren e qëndrimit dhe jo një afat të njëjtë për çdo pacient. Kohëzgjatja konkrete ndryshon sipas sëmundjes, trajtimit dhe nevojës për kujdes spitalor.
Publikimi paraqet kështu një aktivitet më të lartë të spitaleve publike krahasuar me vitin 2021, të shoqëruar me qëndrime mesatarisht më të shkurtra./skyweb.al















