Përdorimi i artikujve të mediave nga inteligjenca artificiale Gemini e Google për t’iu përgjigjur pyetjeve të përdoruesve mund të përbëjë shkelje të të drejtave të autorit në rrethana të caktuara. Ky është qëndrimi i një këshilltari të Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Europian, i cili ka dhënë këtë të martë një opinion në kuadër të një çështjeje gjyqësore që përfshin gjigantin amerikan të teknologjisë.
Çështja është ngritur nga kompania hungareze Like Company kundër Google, për mënyrën se si chatbot-i Gemini përdor përmbajtjet e publikuara në faqet e mediave për të gjeneruar përgjigje për përdoruesit.
Sipas këshilltarit të përgjithshëm të Gjykatës, Maciej Szpunar, nëse një chatbot i bazuar në modele të mëdha gjuhësore (LLM) merr një artikull nga faqja e një medie, e ripërdor atë për të krijuar një përgjigje dhe më pas ia paraqet përdoruesit, në rrethana të caktuara mund të cenohen të drejtat e botuesit të përmbajtjes.
“Kur një chatbot i bazuar në një model të madh gjuhësor merr një publikim nga faqja e internetit e një botuesi mediatik, e ripërdor atë publikim për të gjeneruar një përgjigje dhe ia ofron këtë përgjigje përdoruesit, e drejta e botuesit të shtypit mund të cenohet në rrethana të caktuara”, deklaroi Szpunar, sipas një njoftimi të gjykatës.
Një vendim në favor të mediave mund të krijojë një precedent të rëndësishëm për industrinë e lajmeve në internet, duke u hapur rrugën botuesve që të kërkojnë pagesë për përdorimin e përmbajtjeve të tyre nga platformat e inteligjencës artificiale.
Mediat online po përballen prej kohësh me rënie të trafikut në faqet e tyre, pasi përmbledhjet e lajmeve të gjeneruara nga chatbot-et po zëvendësojnë gjithnjë e më shumë rezultatet tradicionale të motorëve të kërkimit, të cilat përmbajnë lidhje drejt artikujve origjinalë.
Nëse Gjykata e Drejtësisë së Bashkimit Europian do të mbështesë këtë interpretim, Google mund të detyrohet të paguajë tarifa për përdorimin e materialeve të mbrojtura nga e drejta e autorit. Megjithatë, opinioni i këshilltarit të përgjithshëm nuk përbën vendimin përfundimtar të gjykatës, e cila do të shprehet më vonë për çështjen. /skyweb.al
















