Shoqata e Botuesve ka njoftuar shtyrjen e Panairit të 29-të të Librit “Tirana 2026”, i cili ishte parashikuar të mbahej në datat 11-15 nëntor në Tiranë. Shkak për këtë vendim është bërë situata e tensionuar në kryeqytet, në kushtet e protestave dhe shqetësimeve për mbarëvajtjen e aktivitetit.
Përmes një njoftimi drejtuar botuesve, ekspozuesve dhe lexuesve, organizatorët bëjnë të ditur se panairi do të zhvendoset në muajin dhjetor, ndërsa datat e reja do të njoftohen në ditët në vijim.
Sipas organizatorëve, vendimi është marrë pas konsultimeve me botues, pedagogë, mësues dhe lexues, të cilët kanë shprehur shqetësime për zhvillimin e aktivitetit në datat e parashikuara.
“Organizimi i tij në datat e parashikuara (11-15 nëntor 2026), për shkak të situatës së tensionuar dhe shqetësuese në Tiranë, nuk do të garantonte pjesëmarrjen e duhur të vizitorëve dhe lexuesve”, thuhet në njoftimin e grupit organizator.
Një vëmendje e veçantë, sipas tyre, i është kushtuar pjesëmarrjes së të rinjve dhe fëmijëve, të cilët përbëjnë një nga grupet kryesore të synuara të Panairit të Librit.
“Panairi i 29 i Librit ‘Tirana 2026’ do të zhvillohet gjatë muajit dhjetor, pra brenda këtij viti”, bëjnë me dije organizatorët, duke falënderuar botuesit dhe lexuesit për mirëkuptimin dhe durimin.
Panairi i Librit është një nga aktivitetet më të rëndësishme kulturore në vend, që çdo vit mbledh botues, autorë dhe lexues, duke u kthyer në një pikë takimi për promovimin e librit dhe nxitjen e leximit. /skyweb.al
















