Lufthansa Group ka regjistruar tremujorin më të fortë në histori për sa i përket të ardhurave, pasi rritja e kërkesës për udhëtime dhe masat për uljen e kostove kompensuan shtrenjtimin e karburantit.
Sipas rezultateve financiare për periudhën korrik–shtator, fitimi operativ i rregulluar i kompanisë u rrit me 6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke arritur në 1.4 miliardë euro. Ndërkohë, të ardhurat u rritën me 9%, në 12.24 miliardë euro.
Drejtori ekzekutiv i Lufthansa-s, Carsten Spohr, deklaroi se kërkesa e lartë për udhëtime, rritja e të ardhurave dhe disiplina në menaxhimin e shpenzimeve kanë bërë të mundur kompensimin e rritjes së kostove të karburantit.
Vetëm gjatë tremujorit të tretë, shpenzimet për karburantin u rritën me 543 milionë euro, si pasojë e shtrenjtimit të vajgurit për aviacionin, të ndikuar nga konflikti në Lindjen e Mesme.
Megjithatë, jo të gjitha kompanitë e grupit patën të njëjtën ecuri. Ndërsa SWISS, Austrian Airlines dhe Brussels Airlines përmirësuan rezultatet financiare, linja ajrore kryesore Lufthansa shënoi rënie me rreth një të tretën të fitimit operativ të rregulluar, i cili zbriti në 300 milionë euro.
Kontribut të rëndësishëm në rezultatet e grupit dhanë Lufthansa Cargo, e cila më shumë se trefishoi fitimin operativ, duke arritur në 162 milionë euro, si dhe Lufthansa Technik, që regjistroi rritje prej 54%, në 200 milionë euro.
Pavarësisht rezultateve pozitive të tremujorit të verës, bilanci për nëntë muajt e parë të vitit paraqet një panoramë më të përzier: të ardhurat u rritën me 8%, ndërsa fitimi neto ra me 35%.
Për të përballuar presionin e kostove, Lufthansa ka ndërmarrë një sërë masash, përfshirë anulimin e fluturimeve, nxjerrjen jashtë përdorimit të disa avionëve dhe reduktimin e shpenzimeve operative. Kompania ka hequr nga programi i fluturimeve 27 avionët e CityLine dhe ka shkurtuar 20 mijë fluturime me distanca të shkurtra deri në tetor.
Këto masa pritet të kursejnë rreth 40 mijë tonë karburant. Paralelisht, grupi ka kufizuar rekrutimet dhe shpenzimet për aktivitetet e brendshme e konsulentët e jashtëm, ndërsa vijon planin për shkurtimin e 4 mijë vendeve të punës në administratë deri në vitin 2030.
Rritja e kostove të karburantit mbetet një sfidë për të gjithë sektorin ajror evropian, me paralajmërime se çmimet e biletave mund të rriten ndjeshëm në vitin 2027.
















