Shqiptarët po konsumojnë gjithnjë e më shumë internet në celular dhe po shpenzojnë më shumë kohë në telefonata, ndërsa përdorimi i SMS-ve vijon të bjerë.
Sipas të dhënave të AKEP, gjatë tremujorit të dytë trafiku i internetit në rrjetet celulare arriti rreth 77 milionë GB, duke u rritur me 13% krahasuar me tre muajt e parë të vitit. Brenda vetëm një tremujori, konsumi u shtua me rreth 9 milionë GB.
Rritje shënuan edhe telefonatat. Shqiptarët realizuan rreth 975 milionë minuta komunikim zanor, ose 6.4% më shumë se në tremujorin paraardhës.
Në total, gjatë gjysmës së parë të vitit u konsumuan rreth 145 milionë GB internet celular dhe afro 1.9 miliardë minuta telefonata.
Në kah të kundërt po lëvizin SMS-të. Një përdorues aktiv dërgonte mesatarisht vetëm 11 mesazhe në muaj gjatë tremujorit të parë, rreth 12% më pak se një vit më parë. Aplikacionet e komunikimit online po e zëvendësojnë me shpejtësi këtë shërbim tradicional.
Në fund të tremujorit të dytë numëroheshin rreth 2.97 milionë pajtimtarë celularë, 1% më pak se në tremujorin e parë. Megjithatë, përdoruesit aktivë u rritën në 2.49 milionë, duke treguar se shqiptarët mund të kenë më pak karta SIM, por po i përdorin ato shumë më intensivisht. /skyweb.al
















