Një kuzhinier italian në Australi ka humbur vendin e punës pasi refuzoi vazhdimisht të përgatiste pica me ananas, duke e konsideruar këtë si një shkelje të traditës dhe kulturës italiane.
Davide Tamburella u pushua nga puna në muajin maj nga restoranti La Costa, në Brisbane, pasi nuk pranoi disa herë kërkesat e drejtuesve për të përgatitur pica me proshutë dhe ananas. Ai argumentonte se nuk mund të zbatonte udhëzime që, sipas tij, binin ndesh me traditën italiane. Madje, më herët kishte kërkuar nga eprori i tij që të kuptonte rëndësinë që ka kjo çështje për italianët.
Rasti përfundoi në Komisionin Australian për Marrëdhëniet e Punës, ku Tamburella kundërshtoi shkarkimin, duke e cilësuar atë të padrejtë. Megjithatë, në vendimin e publikuar të martën, komisioni bëri të ditur se kuzhinieri e kishte refuzuar përdorimin e ananasit në pica për herë të tretë brenda katër viteve. Në fund, ai nuk arriti të fitonte çështjen, pasi ankesa ishte dorëzuar jashtë afatit ligjor.
Por kundërshtimi ndaj ananasit nuk ishte i vetmi problem mes kuzhinierit dhe drejtuesve të restorantit. Këta të fundit kishin ngritur shqetësime edhe për përdorimin e gjuhës fyese, mënyrën e komunikimit dhe tensionet e krijuara në ambientin e punës. Në muajin prill, Tamburella kishte thyer edhe kockat e dorës së djathtë, pasi kishte goditur një parmak metalik.
Kuzhinieri shpresonte që restoranti t’i siguronte një vizë pune, e cila do t’i mundësonte të qëndronte përgjithmonë në Australi. Por pas largimit nga puna, edhe kjo mundësi u ndërpre.
Nga ana tjetër, drejtori menaxhues i restorantit deklaroi për mediat se “kjo histori ka më shumë sesa një çështje pice”.
Ndërkohë, Tamburella duket se e ka gjetur tashmë një vend të ri pune në një tjetër restorant në Brisbane. Sipas një verifikimi të BBC-së, në menunë e restorantit të ri nuk figuron pica me ananas. /skyweb.al
















