Masat e vendosura nga Banka e Shqipërisë për të frenuar rreziqet nga kreditimi i shpejtë i tregut të banesave nuk e kanë ndalur rritjen e fortë të huave për strehim. Raporti i ri Tremujor i Politikës Monetare 2026/III tregon se kredia hipotekare vijon të zgjerohet me ritme dyshifrore, ndërsa vetë bankat po tregohen më të gatshme për të marrë përsipër rrezik.
Në fund të tremujorit të dytë, portofoli i kredisë për individët ishte 16.7% më i lartë se një vit më parë, ndërsa kreditë për blerjen e banesave u rritën me 15.8%. Kredia konsumatore u zgjerua edhe më shpejt, me 18.4%.
Shifrat vijnë rreth një vit pasi Banka e Shqipërisë vendosi tavane të posaçme për kreditë rezidenciale, me synimin për të kufizuar rrezikun që mund të krijohej nga një kombinim i rritjes së shpejtë të huadhënies dhe çmimeve të pronave. Këshilli Mbikëqyrës i miratoi masat më 7 maj 2025.
Për kreditë në lekë, financimi u kufizua deri në 85% të vlerës së pronës për shtëpinë e parë dhe 80% për të dytën, ndërsa kësti mujor nuk duhet të kalojë përkatësisht 40% dhe 35% të të ardhurave. Për kreditë në valutë kufijtë janë edhe më të ulët.
Por raporti i fundit tregon se, edhe nën këto kufizime, kërkesa për financimin e banesave mbetet e fortë. Bankat raportojnë rritje të kërkesës së individëve si për konsum, ashtu edhe për blerje shtëpie, e mbështetur nga normat e favorshme të interesit dhe pritjet për zhvillimet në tregun e banesave.
Madje, zhvillimet nga ana e bankave shkojnë në kahun e kundërt të një shtrëngimi të përgjithshëm të kreditimit. Banka e Shqipërisë konstaton se standardet e kreditimit për individët janë lehtësuar, si për kreditë për blerjen e banesave, ashtu edhe për ato konsumatore.
Raporti e lidh zgjerimin e kredisë për individët edhe me “tolerancën e shtuar të bankave për të marrë përsipër rrezik”, krahas lehtësimit të kushteve të çmimit dhe atyre joçmim.
Edhe interesat po favorizojnë huamarrjen. Norma mesatare për kredinë e re hipotekare në lekë zbriti në 3.8% gjatë tremujorit të dytë, nga 3.9% në tremujorin e parë.
Megjithatë, kufizimet duket se janë shoqëruar me një moderim të ritmit. Në të njëjtën periudhë të vitit 2025, përpara se masat të jepnin efekt të plotë, kredia për banesa po rritej me rreth 18% në vit. Tashmë ritmi është ulur në 15.8%, por mbetet shumë i lartë.
Vetë Banka e Shqipërisë kishte sqaruar që në momentin e vendosjes së masave se ato nuk synonin të bllokonin kreditimin, por të kufizonin huatë më të rrezikshme dhe të mbronin bankat e familjet nga një goditje e mundshme në tregun e pronave. Në atë kohë, raporti mesatar i kredisë ndaj vlerës së kolateralit në sistem ishte rreth 70%, pra poshtë tavaneve të reja.
Të dhënat e gjashtëmujorit të parë 2026 tregojnë kështu se kufizimet kanë frenuar disi ritmin, por nuk kanë ftohur tregun e kredive për shtëpi. Përkundrazi, kërkesa mbetet e lartë dhe bankat po tregohen më tolerante ndaj rrezikut, ndërsa financimi për strehim vijon të zgjerohet me ritme dyshifrore. /skyweb.al















