Rritja e fortë e çmimit të naftës nuk i ka detyruar shqiptarët të ulin ndjeshëm konsumin e karburanteve. Nga marsi në korrik 2026, në vend u importuan rreth 305.8 mijë tonë karburante, vetëm 1.2% më pak se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Konsumi ra më fort vetëm në prill dhe maj, ndërsa në qershor importet u rritën me 4.6% dhe në korrik me 6.9%. Në korrik u importuan rreth 75.8 mijë tonë karburante, niveli më i lartë i periudhës, i ndikuar edhe nga sezoni turistik dhe shtimi i lëvizjeve.
Por ndërsa sasia e konsumuar ndryshoi pak, fatura për qytetarët u rrit ndjeshëm për shkak të çmimeve më të larta. Për periudhën mars-korrik, shqiptarët vlerësohet se shpenzuan rreth 71.3 miliardë lekë për karburante.
Me çmimin mesatar të vitit të kaluar prej rreth 175 lekësh për litër, e njëjta sasi do të kishte kushtuar rreth 63.7 miliardë lekë. Diferenca është rreth 7.6 miliardë lekë, ose afërsisht 80 milionë euro më shumë të paguara vetëm nga shtrenjtimi i naftës.
Vetëm në korrik, me çmim mesatar 195.6 lekë për litër, fatura llogaritet rreth 1.8 miliardë lekë më e lartë se me çmimet e vitit të kaluar.
Shqipëria vijon ndërkohë të ketë naftën rreth 30% më të shtrenjtë se vendet e rajonit, kryesisht për shkak të barrës së lartë fiskale. Akciza, taksa e qarkullimit, taksa e karbonit dhe TVSH-ja përbëjnë së bashku mbi 100 lekë për çdo litër naftë.
Ndryshe nga vendet fqinje, ku u ndërhy me ulje akcizash, TVSH-je apo kufizim marzhesh, Shqipëria aplikoi vetëm një lehtësi të përkohshme në fillim të prillit.
Të dhënat tregojnë se mungesa e alternativave të zhvilluara të transportit publik e bën makinën një nevojë për shumë familje, ndaj edhe çmimet e larta nuk kanë sjellë ulje të fortë të konsumit. /Marrë me shkurtime nga Monitor
















