A e dini se, kur një pensionist ose person i siguruar ndërron jetë, familjarët që ishin në ngarkim të tij mund të përfitojnë pension familjar?
Ky përfitim nuk është kalimi i plotë i pensionit të të ndjerit, por një pjesë e pensionit që ai merrte ose kishte fituar të drejtën të merrte.

Pension familjar mund të përfitojë gruaja e ve kur kujdeset për një fëmijë deri në 8 vjeç, është e paaftë për punë ose ka mbushur 55 vjeç. Për burrin e ve kufiri i moshës është 60 vjeç, ndërsa kushtet e tjera janë të njëjta.
Përfitojnë gjithashtu fëmijët jetimë deri në moshën 18 vjeç ose deri në 25 vjeç kur vazhdojnë studimet. Në kushte të caktuara, pension mund të marrin edhe prindërit, gjyshërit, njerku, njerka, nipërit dhe mbesat që ishin në ngarkim të personit të ndjerë.
Personi i ve përfiton 50% të pensionit, ndërsa për çdo jetim ose familjar tjetër jepet 25%. Kur përfitues është vetëm një jetim, pensioni mund të jetë 50%. Shuma e përgjithshme nuk mund të kalojë pensionin që merrte ose do të merrte i ndjeri.
Jetimi që humbet të dy prindërit përfiton pension për secilin prej tyre, ndërsa personi i ve e humbet të drejtën nëse martohet përsëri.
Aplikimi kryhet online në platformën e-Albania, përmes shërbimit “Aplikim për pension familjar”.
















