Një hetim i Guardia di Finanza-s në Chieti, i zhvilluar me asistencën dhe shkëmbimin e informacionit me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve të Shqipërisë, ka zbuluar një skemë mashtrimi transnacional në sektorin e transportit rrugor.
Sipas njoftimit të Administratës Tatimore, nga hetimi janë evidentuar 95 punonjës të padeklaruar, ndërsa evazioni fiskal i konstatuar arrin në rreth 6 milionë euro.
Hetimet kanë zbuluar gjithashtu mbi 3.5 milionë euro fatura për operacione fiktive, si dhe më shumë se 1.2 milionë euro kontribute të papaguara.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve thekson se shkëmbimi i informacionit me autoritetet italiane ka kontribuar në evidentimin e skemës dhe se bashkëpunimi ndërkombëtar do të vijojë të forcohet për goditjen e evazionit fiskal dhe skemave të mashtrimit.
Administrata Tatimore thotë se bashkëpunimi me administratat fiskale dhe autoritetet partnere jashtë vendit synon njëkohësisht edhe mbrojtjen e konkurrencës së ndershme mes bizneseve.
















