Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Dorian Karakaçi, njoftoi dje krijimin e rezervës shtetërore të naftës, por skema e re mund të sjellë një tjetër tarifë për qytetarët.
Projektligji i miratuar nga qeveria parashikon ngritjen e një autoriteti publik që do të administrojë rezervën e sigurisë me naftë bruto.
Rezervat do të krijohen përmes depozitimeve të shtetit dhe operatorëve ekonomikë që importojnë dhe tregtojnë karburante.
Kompanitë do të paguajnë një tarifë për krijimin dhe mirëmbajtjen e rezervës, vlera e së cilës do të përcaktohet më vonë me vendim qeverie.
Sipas Monitor, edhe pse formalisht tarifa do të paguhet nga operatorët, Shoqata e Hidrokarbureve paralajmëron se ajo mund të transferohet te çmimi përfundimtar i naftës dhe benzinës.
Krijimi i rezervës me naftë bruto kërkon gjithashtu investime në depozita, kapacitete përpunimi dhe infrastruktura të posaçme ruajtjeje.
Nëse këto shpenzime nuk përballohen plotësisht nga buxheti, kostot pritet t’u kalojnë konsumatorëve përmes çmimit të karburanteve.
Rezerva nuk synon uljen e çmimit, por garantimin e furnizimit në rast krizash ose mungesash në treg.
Aktualisht kompanitë private kanë detyrimin të mbajnë rezerva për 90 ditë, por ky mekanizëm nuk ka ndikuar në uljen e çmimeve.
Shoqata e Hidrokarbureve kërkon që qeveria të përdorë instrumentet fiskale, veçanërisht uljen e akcizës, për të lehtësuar barrën mbi konsumatorët.
Ndërkohë, qeveria ka ringritur Bordin e Transparencës për të ndërhyrë nëse çmimi i naftës kalon mbi 220 lekë për litër.
Kompanitë kundërshtojnë formulën e Bordit, duke pretenduar se çmimi llogaritet nën kosto dhe nuk përfshin transportin dhe shpenzime të tjera.
Tetë operatorë kanë paditur qeverinë dhe kërkojnë rreth 12 milionë euro dëmshpërblim.
Shqipëria dhe Kosova mbeten vendet e vetme në rajon pa një masë fiskale automatike për uljen e çmimit të naftës.
Ndërsa qytetarët paguajnë karburantet ndër më të shtrenjtat në rajon, shteti arkëtoi 18 milionë euro më shumë nga rritja e çmimeve vetëm gjatë periudhës mars–korrik. /skyweb.al















