Qumështi i tërshërës, bajames dhe sojës po humbet vrullin, ndërsa konsumatorët po rikthehen gradualisht te qumështi tradicional.
Sipas të dhënave të kompanisë së kërkimit Circana, shitjet në volum të alternativave bimore të qumështit në Shtetet e Bashkuara ranë me 5,4% gjatë vitit të fundit.
Qumështi i bajames, i cili mbetet produkti më i preferuar i kësaj kategorie, regjistroi një rënie edhe më të fortë prej 7,9%. Në Britani, shitjet ranë me 2,5% gjatë 12 muajve deri në qershor, ndërsa rritja u ngadalësua edhe në Francë, Itali, Holandë dhe Spanjë.
Në të kundërt, shitjet e qumështit tradicional po shfaqin shenja rimëkëmbjeje pas një periudhe të gjatë rënieje.
Konsumatorët po e konsiderojnë sërish atë si një alternativë më ekonomike dhe, në disa raste, më të shëndetshme. Pijet bimore u përhapën gjerësisht gjatë viteve 2010, të mbështetura edhe nga perceptimi se kishin ndikim më të vogël në mjedis se qumështi i lopës.
Por ulja e çmimeve të qumështit në vitin 2023 dhe presioni mbi buxhetet familjare pas pandemisë kthyen një pjesë të konsumatorëve te produktet tradicionale.
Një ndikim po ushtron edhe shqetësimi në rritje për ushqimet ultra të përpunuara dhe vëmendja më e madhe ndaj etiketave.
Në përbërjen e disa pijeve bimore konsumatorët kanë evidentuar trashës, vajra, sheqerna dhe aromatizues të shtuar.
Megjithëse qumështi i plotë përmban më shumë yndyrna të ngopura, disa alternativa bimore kanë përmbajtje më të lartë sheqeri.
Qumështi i lopës përmban gjithashtu tre deri në katër herë më shumë proteina se qumështi i tërshërës.
Te Arla, kooperativa më e madhe europiane e bulmetit, të ardhurat nga produktet me përmbajtje të lartë proteinash, si quark dhe skyr, pritet të rriten me 25% në vit duke filluar nga 2024.
Sipas John Crawford të Circana, shumë konsumatorë mbeten besnikë ndaj pijeve bimore për shijen e tyre të veçantë dhe jo sepse i konsiderojnë thjesht zëvendësuese të qumështit.
Kjo mund të shpjegojë edhe dështimin e produkteve të krijuara për t’iu afruar sa më shumë shijes së qumështit të lopës. Arla dhe Danone kanë tërhequr nga tregu marka që nuk arritën të fitonin interesin e konsumatorëve.
Prodhuesit e pijeve bimore po orientohen tashmë drejt inovacionit dhe shijeve të reja për të rikthyer rritjen e tregut.
Oatly po eksperimenton me shije si kokoshkat dhe matcha, të cilat synojnë kryesisht konsumatorët e rinj.
Suksesi i pijes Alpro me shije roleje me kanellë e ka shtyrë kompaninë drejt një strategjie me produkte sezonale. Në raftet e supermarketeve po shfaqen gjithashtu alternativa të reja të prodhuara nga fëstëkët, arrat pecan dhe elbi. /skyweb.al















