Pothuajse çdo ndërmarrje në Shqipëri ka akses në internet, por vetëm një pjesë e kufizuar e punonjësve e përdor atë gjatë punës.
Sipas të dhënave të INSTAT për vitin 2026, 99.5% e ndërmarrjeve me të paktën 10 të punësuar përdorin kompjuter me akses në internet për qëllime pune. Një vit më parë, ky tregues ishte 99.4%.
Megjithatë, vetëm 38.3% e të punësuarve përdorin kompjuter me internet gjatë ushtrimit të detyrave, nga 35.1% në vitin 2025. Shifrat tregojnë se sigurimi i lidhjes me internetin është thuajse universal, por përfshirja e teknologjisë në proceset e përditshme të punës mbetet ende e kufizuar.
Përmirësimi më i ndjeshëm është regjistruar te shpejtësia e internetit. Rreth 66.6% e ndërmarrjeve përdorin tashmë lidhje me shpejtësi mbi 100 Mbit/s, nga 50.4% një vit më parë.
Ndërkohë, 62.9% e kompanive kanë një faqe interneti, ndërsa 88.1% përdorin rrjetet sociale për komunikim, promovim ose marrëdhënie me klientët.
Edhe tregtia elektronike po zgjerohet. Në vitin 2026, rreth 31.3% e ndërmarrjeve deklaruan se kishin shitur produkte ose shërbime nëpërmjet faqeve të internetit, aplikacioneve apo platformave digjitale, nga 28.1% në vitin 2025.
Por pesha ekonomike e shitjeve online mbetet relativisht e ulët. Vetëm 11.4% e xhiros së përgjithshme të ndërmarrjeve u realizua përmes kanaleve online, krahasuar me 10.1% një vit më parë.
Sektori i akomodimit dhe shërbimit ushqimor renditet ndër më aktivët në tregtinë elektronike, me 52.7% të ndërmarrjeve që realizojnë shitje online.
Rritje është shënuar edhe në përdorimin e inteligjencës artificiale. Përqindja e kompanive që përdorin sisteme AI arriti në 12.4%, nga 9% në vitin 2025. Te ndërmarrjet me mbi 250 punonjës, treguesi arrin në 28.1%.
Në të njëjtën kohë, 34.5% e ndërmarrjeve punësojnë specialistë të teknologjisë së informacionit, 35.3% përdorin shërbime cloud dhe 36.9% programe për planifikimin e burimeve të kompanisë. Të dhënat janë mbledhur nga INSTAT përmes intervistimit të 2,384 ndërmarrjeve aktive me 10 ose më shumë të punësuar. /skyweb.al















