Bitcoin mund të hyjë në një cikël të ri të fuqishëm rritjeje dhe të arrijë deri në 600 mijë dollarë në fund të vitit 2029. Parashikimi vjen nga investitori veteran Peter Brandt, i njohur për analizat e tij në tregjet e mallrave dhe kriptomonedhave. Brandt vlerëson se Bitcoin mund ta ketë prekur tashmë nivelin më të ulët të ciklit dhe se tregu ndodhet në fazat e para të një vale të re rritëse.
Në korrik, ai parashikonte një objektiv prej 250–300 mijë dollarësh, por tashmë e ka rishikuar vlerësimin në intervalin 300–600 mijë dollarë deri në fund të vitit 2029.
Sipas tij, ekziston një mundësi e konsiderueshme që rritja e ardhshme ta çojë Bitcoin pranë nivelit prej 500 mijë dollarësh.
Brandt nuk e përjashton as skenarin që kriptomonedha të prekë një milion dollarë deri në vitin 2030, por thekson se nuk e mbështet strategjinë e tij të investimit mbi këtë parashikim.
Optimizmi afatgjatë nuk e pengon atë të paralajmërojë për luhatje të forta gjatë muajve të ardhshëm. Bitcoin po tregtohet pak mbi 83 mijë dollarë, ndërsa Brandt sheh si të mundshëm një korrigjim drejt nivelit 65–66 mijë dollarë në fillim të tetorit.
“Bitcoin nuk rritet në vijë të drejtë”, është shprehur investitori, duke paralajmëruar se uljet e përkohshme janë pjesë e cikleve të tregut.
Brandt fitoi vëmendje në vitin 2018, kur Bitcoin tregtohej pranë 11 mijë dollarëve dhe ai parashikoi një rënie nën 4 mijë dollarë.
Në dhjetor të atij viti, çmimi i kriptomonedhës zbriti në rreth 3,800 dollarë, duke konfirmuar parashikimin e tij.
Investitori këshillon pjesëmarrësit e tregut që të mos i bazojnë vendimet vetëm te zhvillimet politike, ligjet apo narrativat që shoqërojnë kriptomonedhat.
Sipas tij, treguesi kryesor duhet të mbetet vetë lëvizja e çmimit. Megjithatë, parashikimet për Bitcoin mbeten të pasigurta dhe tregu vazhdon të karakterizohet nga luhatje të forta. /skyweb.al















