Fermerët e regjistruar do të mund të marrin kredi bankare me interes maksimal 2%, afat shlyerjeje deri në 10 vjet dhe të paktën 12 muaj pa paguar principalin. Skema e autorizuar nga Komisioni i Ndihmës Shtetërore ka një fond garancie prej 5 miliardë lekësh dhe përfshin, krahas fermerëve, edhe ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme.
Kredia nuk do të jepet drejtpërdrejt nga shteti. Fermeri duhet të aplikojë pranë një banke pjesëmarrëse, e cila do të vlerësojë kërkesën dhe aftësinë e tij për ta shlyer huan.
Nëse kredia miratohet, shteti do të garantojë deri në 70% të principalit. Pjesa tjetër e rrezikut mbetet te banka, e cila mund të kërkojë edhe kolateral shtesë.
Garancia shtetërore nuk mbulon interesat, kamatëvonesat, penalitetet apo detyrime të tjera që mund të krijohen gjatë shlyerjes.
Për të përfituar, fermeri duhet të jetë i regjistruar me NIPT fermeri, të mos ketë detyrime të papaguara ndaj shtetit dhe të mos ketë borxhe nga skema të mëparshme të garancisë.
Shuma përcaktohet sipas investimit dhe vlerësimit të bankës, por kredia e garantuar për një huamarrës nuk mund të kalojë 200 milionë lekë.
Norma e interesit nuk mund të jetë më e lartë se 2%, ndërsa tarifat bankare kufizohen në maksimumin prej 0.5% të vlerës së huas.
Fermeri do të ketë të paktën 12 muaj periudhë pa pagesë të principalit. Kjo periudhë mund të shkurtohet vetëm nëse e kërkon vetë huamarrësi.
Në rast se kredia shlyhet përpara afatit, banka nuk mund të vendosë komisione, penalitete ose tarifa shtesë.
Financimi mund të përdoret vetëm për investime në asete fizike dhe teknologjike që rrisin kapacitetet prodhuese, cilësinë e prodhimit dhe eficiencën e aktivitetit. Huaja nuk mund të jepet si linjë krediti për shpenzime të zakonshme.
Aplikimet do të pranohen deri më 20 nëntor 2027, ndërsa disbursimi i kredive duhet të përfundojë brenda datës 20 dhjetor 2027. /skyweb.al
















