Ndihmësit personalë të personave me aftësi të kufizuara do të përfitojnë sigurime shoqërore dhe shëndetësore, ndërsa periudha gjatë së cilës kryejnë këtë funksion do t’u njihet për pensionin e pleqërisë dhe barrëlindjen.
Rregullat e reja janë përcaktuar në një udhëzim të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, i cili i shtrin efektet nga data 1 tetor 2026.
Nga skema përfitojnë ndihmësit personalë të personave me aftësi të kufizuara dhe të personave që përfitojnë nga statusi i të verbrit.
Përfitimi kushtëzohet nga fakti që ndihmësi personal të mos jetë ekonomikisht aktiv, i vetëpunësuar apo i siguruar në një formë tjetër.
Verifikimi do të bëhet elektronikisht, përmes shkëmbimit të informacionit ndërmjet Regjistrit Elektronik Kombëtar të Aftësisë së Kufizuar, Administratës Tatimore dhe Institutit të Sigurimeve Shoqërore.
Njësitë administrative do t’u përcjellin çdo muaj bashkive listat e ndihmësve personalë që plotësojnë kushtet.
Bashkitë do të hapin një NIPT sekondar pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit për deklarimin dhe pagesën e kontributeve shoqërore dhe shëndetësore.
Brenda datës 20 të çdo muaji pasardhës, bashkia duhet të përgatisë listëpagesën, t’ia dërgojë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe të kryejë pagesën e kontributeve.
Në rastet kur verifikimi elektronik nuk mund të realizohet, përmbushja e kushteve do të provohet përmes vërtetimit të lëshuar në portalin e-Albania.
Ndryshimi synon që puna e ndihmësve personalë të mos mbetet më jashtë sistemit të sigurimeve dhe vitet e kujdesit ndaj personave me aftësi të kufizuara të llogariten për përfitimin e pensionit. /skyweb.al
















