• Kreu
  • Aktualitet
  • Fokus
  • Ekonomi
  • Turizëm
  • Aviacion
  • Shëndet
  • OP-ED
  • Kush jemi ne
  • Politika e Privatësisë
E hënë, 12 Tetor, 2026
  • Hyr
SkyWeb.al
  • Kreu
  • Aktualitet
  • Fokus
  • Ekonomi
  • Turizëm
  • Aviacion
  • Shëndet
  • OP-ED
Nuk u gjet asnjë rezultat
Shiko të gjitha
SkyWeb.al
  • Kreu
  • Aktualitet
  • Fokus
  • Ekonomi
  • Turizëm
  • Aviacion
  • Shëndet
  • OP-ED
Nuk u gjet asnjë rezultat
Shiko të gjitha
SkyWeb.al
Nuk u gjet asnjë rezultat
Shiko të gjitha
Kreu OP-ED

Zgjerimi i BE-së hyn në një fazë të re. Shqipëria mes mundësive dhe sfidave

SkyWeb Nga SkyWeb
12 Tetor, 2026
në OP-ED
A A
Zgjerimi i BE-së hyn në një fazë të re. Shqipëria mes mundësive dhe sfidave
Share on FacebookShare on WhatsApp

nga Çelik Rruplli

Vjeshta e këtij viti, e gjen politikën e zgjerimit të BE-së disi ndryshe nga vitet e kaluara pasi Komisioni Evropian ka publikuar një dokument strategjik, i cili rishikon qasjen e BE-së në këtë aspekt, në mënyrë që ta përgatitë për një Union më të gjerë, funksional dhe që i përgjigjet sfidave të kohës. Nevoja për ndryshimin e kësaj politike është domosdoshmëria gjeopolitike si pasojë e luftës së Rusisë ndaj Ukrainës dhe kërcënimit ndaj sigurisë evropiane. Pra, Bashkimi Evropian po përgatitet për një zgjerim të ri dhe këtë herë përgatitja nuk kërkohet vetëm nga vendet kandidate por edhe vetë BE-ja. Ajo duhet të përshtatë mënyrën si do të merren vendimet, si do të organizohen politikat dhe si do të financohen anëtarët e ardhshëm.

Ky ishte mesazhi kryesor nga Komunikimi i Komisionit Evropian “Preparing for a wider Union”, publikuar më 6 tetor 2026, i cili e trajton zgjerimin si një proces që duhet të ecë në dy drejtime: vendet kandidate vazhdojnë reformat për anëtarësim, ndërsa BE-ja përgatit institucionet, politikat dhe buxhetin për një Union me më shumë se 27 shtete.

Komisioni e shtrin këtë përgatitje në katër aspekte kryesore: qeverisja, vlerat dhe shteti i së drejtës, politikat dhe buxheti. Në vlerësimin e Komisionit Evropian, pjesa më e madhe këtyre ndryshimeve dhe reformave mund të bëhen brenda Traktateve aktuale dhe përmes traktateve të ardhshme të anëtarësimit, pa pasur nevojë për një rishikim/modifikim të plotë të traktateve themeluese të BE-së tani. Gjithsesi, disa propozime, sidomos ata që kanë të bëjnë me të drejtën e votës dhe garancitë institucionale pas anëtarësimit, ngrenë pikëpyetje ligjore të rëndësishme të cilat duhet të adresohen në vijim. Duke i qëndruar qasjes së BE-së se anëtarësimi është i bazuar në meritë (merit-based process), risia e këtij dokumenti strategjik qëndron te fakti që BE e zhvendos modelin e zgjerimit nga përfitimi pas anëtarësimit në momentin që përmbushen kriteret, drejt një modeli të integrimit gradual ku përfitimi është direkt në fusha apo sektorë ku kriteret janë të përmbushura, përpara se vendi të jetë anëtar.

Është gjithashtu e rëndësishme të theksojmë se ky ndryshim po ndodh në të njëjtën kohë kur negociatat me vendet më të avancuara po kalojnë në një fazë tjetër. Më 12 tetor mbahet Konferenca e 29-të Ndërqeveritare mes BE dhe Malit të Zi ku ky i fundit pritet të mbyllë 2 kapituj të tjerë (kapitujt 18-19), ndërsa më 13 tetor Konferenca e 10-të Ndërqeveritare mes BE dhe Shqipërisë është planifikuar të mbyllë përkohësisht Kapitullin 20 për “Sipërmarrjen dhe Politikën Industriale”.

Në të njëjtën kohë, Komisioni Evropian ka paralajmëruar gjithashtu së shpejti, po këtë muaj bashkë me Progres Raportin, një udhërrëfyes për Malin e Zi, Shqipërinë, Moldavinë dhe Ukrainën, me masa dhe reforma që duhet të ndërmerren në një periudhë kohore të përcaktuar. Këto nuk do të jenë data të garantuara anëtarësimi, por pritet të krijojnë një pamje më të qartë të prioriteteve dhe hapave që mbeten deri në përfundimin e negociatave.

  1. Përshpejtim dhe konkretizim të procesit të anëtarësimit.

Një nga ndryshimet që propozon Komisioni lidhet me vendimmarrjen e vetë BE-së. Në një Bashkim Evropian me më shumë anëtarë, përdorimi i shpeshtë i unanimitetit mund ta bëjë vendimmarrjen më të ngadaltë. Për këtë arsye, Komisioni kërkon përdorim më të madh të shumicës së cilësuar (QMV) në fushat ku Traktatet ekzistuese e lejojnë. Megjithatë, çështja e reformës së mëtejshme të Traktatit mbetet e hapur. Komisioni mbështet ndryshimin e Traktatit aty ku është e nevojshme, por konsideron se masat që janë tashmë të disponueshme sipas Traktateve duhet të merren përpara tani.

Aktualisht, edhe pse artikulli 49 i Traktatit të BE-së kërkon unanimitet për vendime mbi anëtarësimin, unanimiteti është përdorur si praktikë edhe në fazat e ndërmjetme të vendimmarrjes mbi negociatat (hapje apo mbyllje kapitujsh). Në vijim, Komisioni rekomandon zëvendësimin e kësaj praktike me votimin me shumicë të cilësuar për hapjen e grupkapitujve dhe vendime të tjera të ndërmjetme (mbyllja e kapitujve të ndryshëm), me qëllim të ndalojë vende të caktuara anëtare të krijojë vonesa të panevojshme mbi progresin teknik në negociata. Pranimi përfundimtar i një shteti të ri do të vazhdonte të kërkonte dakordësinë e të gjitha shteteve anëtare.

Përfitimet nga integrimi gradual dhe sfidat. Ndryshimi tjetër lidhet me atë që kandidatët marrin nga procesi përpara anëtarësimit. Komisioni kërkon një përdorim më të gjerë të integrimit gradual për vendet kandidate që përafrojnë rregullat e tyre me BE-në dhe tregojnë se janë në gjendje t’i zbatojnë ato mund të marrin pjesë më herët në politika, programe, agjenci dhe pjesë të Tregut të Përbashkët/Vetëm Evropian.

Fushat përfshijnë ekonominë, industrinë, kërkimin dhe inovacionin, energjinë, transportin, digjitalizimin, arsimin dhe sigurinë. Tregu i Përbashkët mund të luajë një rol kryesor këtu. Për Shqipërinë, SEPA është tashmë një shembull konkret. Pagesat ndërkufitare në euro bëhen më të lehta dhe më të lira. BE-ja po punon edhe për shtrirjen e “Roam Like at Home” në Ballkanin Perëndimor. Erasmus+, Horizon Europe dhe Creative Europe janë forma të tjera pjesëmarrjeje që ekzistojnë përpara anëtarësimit.

Në fjalimin e tij dhe gjatë intervistave për median gjatë Forumit të Shoqërisë Civile dhe Think Tanks në Prishtinë ditët e fundit, ish-kryeministri Italian Enrico Letta (dhe autor i raportit të komisionuar nga BE mbi Tregun e Përbashkët “Much More than a Market” në vitin 2024, ku ai propozon një seri ndërhyrjesh të nevojshme për të përballuar konkurrencën, copëzimin e tregjeve dhe rënien demografike të BE-së) i konsideron përfitimet nga integrimi gradual i vendeve kandidate shumë të dobishme për politikën e zgjerimit, pasi shërben për të lidhur më fort dhe krijuar bashkëpunime mes vendeve të BE-së dhe atyre kandidatë, para anëtarësimit të këtyre të fundit. Sipas Letta-s, liderët e vendeve të BE-së duhet të tregohen të kujdesshëm dhe marrin mësime nga përvoja e zgjerimeve të mëparshme, pasi përvoja e viteve ’90 tregoi se premtimet e mëdha (përfitimet vetëm në plotësimin e kushteve dhe anëtarësimin e plotë), të ndjekura nga shumë vite pritjeje, mund të krijojnë zhgënjim në vendet kandidate dhe një ndjesi frustrimi apo ndjesi anti-BE, të cilat janë vënë re në Hungari dhe Poloni. Kështu, përfitimet e integrimit duhet të ndihen edhe gjatë procesit, jo vetëm në ditën e anëtarësimit.

Përfitimet financiare, kushtëzuar nga realizimi i reformave. Edhe mbështetja financiare përmes planit “Global Europe” (bazuar edhe nga eksperienca me Planin e BE të Rritjes për vendet e Ballkanit Perëndimor, Ukrainës dhe Moldavisë) për kandidatët do të lidhet më fort me realizimin e reformave dhe investimeve. Kur një vend t’i afrohet fundit të negociatave, Komisioni parashikon një paketë financiare që përgatit kalimin nga fondet e para-anëtarësimit te fondet që merr një shtet anëtar. Mali i Zi është vendi i parë ku po përdoret kjo qasje, i cili synon të anëtarësohet në vitin 2028.  Eksperienca e tij është me vlerë dhe mund të shërbeje si reference edhe për anëtarësimin e Shqipërisë, objektiv i qeverisë shqiptare në brenda vitit 2030 dhe që përkon brenda buxhetit të BE-së për vitet 2028-2034. Në këtë mënyrë, anëtarësimi përgatitet gradualisht edhe nga ana financiare dhe administrative.

Garanci institucionale mbrojtëse në rast regresi. Komisioni kërkon që kjo qasje të bëhet më e rregullt dhe më e parashikueshme, duke kërkuar vendosjen e garancive institucionale mbrojtëse ne Traktate (dhe sërish, rasti i Malit të Zi mund të shërbejë si shembull). Integrimi mund të fillojë përpara anëtarësimit, por mbetet i kushtëzuar në respektimin e kritereve të Kopenhagës. Nëse një vend nuk ruan standardet, disa nga këto përfitime mund të pezullohen. Po ashtu, Komisioni propozon kontrolle më të forta pas anëtarësimit. Një mekanizëm i ri mund të përdoret për 15 vjet pas hyrjes në BE në rast të shkeljeve serioze të vlerave evropiane apo të shtetit të së drejtës. Në raste të rënda, masat mund të arrijnë deri te pezullimi i disa të drejtave, përfshirë votën në Këshillin Evropian.

Kjo pjesë lidhet me shqetësimin e vendeve aktuale anëtare. Përfitimet mund të afrohen për kandidatët, por standardet për anëtarësim duhet të mbeten të larta. Kjo, për të bindur shtetet anëtare aktuale që mos të krijojnë pengesa në rrugën e zgjerimit. Kjo bëhet edhe më domethënëse nëse kemi parasysh që vitin e ardhshëm do të mbahen zgjedhjet presidenciale në Francë. Kështu, kërkesa për ruajtjen e standardeve të larta, duket e menduara për të shmangur frikësim të opinionit publik në vendet anëtare të BE-së, sidomos ata me një publik skeptik ndaj zgjerimit. Ndaj edhe Komisioni kërkon që këto masa të jenë të bazuara në kritere të qarta, proporcionale dhe të kontrollueshme nga ana gjyqësore.

  1. Shqipëria: pozicion i favorshëm, por një fazë më e vështirë përpara

Shqipëria hyn në këtë fazë të re të zgjerimit me disa avantazhe të qarta, duke nisur me pozicionin e saj negociues. Aktualisht, të 33 kapitujt janë hapur në një kohë rekord dhe tani, tre prej tyre janë mbyllur përkohësisht, ndërkohë që vendi përgatitet për mbylljen e një tjetri.

Pozicioni i Shqipërisë forcohet edhe nga përafrimi me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së dhe nga faza e avancuar e negociatave. Në maj 2026, BE-ja konfirmoi se vendi kishte përmbushur në tërësi benchmark-et e ndërmjetme për grupkapitullin Themeloret, duke hapur rrugën për mbylljen e kapitujve. Vetë Këshilli e përshkroi këtë si fillimin e një faze më kërkuese, ku fokusi zhvendoset nga miratimi i reformave te zbatimi, rezultatet e qëndrueshme dhe krijimi i një track record-i të besueshëm.

Shqipëria ka edhe një mbështetje shumë të lartë shoqërore për anëtarësimin. Sipas anketës së Komisionit të publikuar në qershor 2026, 92% e të anketuarve mbështesnin hyrjen në BE, niveli më i lartë në Ballkanin Perëndimor. Kjo krijon një bazë të fortë politike dhe shoqërore për reformat, sidomos nëse kostot dhe përfitimet e tyre shpjegohen qartë.

Në këtë kontekst, propozimi i Komisionit për integrim gradual mund t’i japë progresit në reforma një përkthim më konkret. Për qytetarët, kjo mund të nënkuptojë përfitime përpara anëtarësimit: pagesa më të lehta përmes SEPA-s, mundësinë e roaming-ut pa tarifa shtesë nëse marrëveshja me Ballkanin Perëndimor finalizohet, më shumë mundësi në arsim, kërkim, lëvizshmëri dhe njohjen e kualifikimeve. Për bizneset, mund të hapen më shumë mundësi në tregun evropian dhe në zinxhirët e prodhimit. Për administratën, pjesëmarrja më e hershme në agjenci dhe struktura të BE-së mund të shërbejë si përgatitje praktike për detyrimet që vijnë me anëtarësimin.

Dhe është këtu ku fillon edhe pjesa më e vështirë. Afrimi me Tregun e Përbashkët Evropian sjell jo vetëm përfitime, por edhe konkurrencë më të fortë dhe kosto përshtatjeje. Kompanitë duhet të përmbushin standarde më të larta për produktet, konkurrencën, mbrojtjen e konsumatorit dhe kontrollin e tregut. Fermerët dhe prodhuesit ushqimorë duhet të përshtaten me standardet evropiane për sigurinë ushqimore, shëndetin e kafshëve dhe mjedisin. Administrata duhet të jetë në gjendje t’i zbatojë këto rregulla, jo vetëm t’i transpozojë në legjislacion.  Këto kosto nuk do të ndihen njësoj nga të gjithë. Për një kompani të madhe, një investim për standardizim mund të jetë i menaxhueshëm. Për një fermer apo biznes të vogël, mund të jetë një barrë serioze dhe, në raste të caktuara, edhe një çështje mbijetese ekonomike.
Kjo e bën kapacitetin administrativ një nga sfidat kryesore. Integrimi nuk varet vetëm nga ministritë qendrore. Bashkitë, inspektoratet, autoritetet rregullatore, strukturat e prokurimit, administrimi i fondeve, sistemet digjitale dhe personeli teknik duhet të arrijnë të njëjtin nivel gatishmërie. Vetë Komunikimi i Komisionit e identifikon kapacitetin administrativ dhe zbatues si një nga nevojat më të përsëritura në pothuajse të gjitha politikat. Po aq e rëndësishme është cilësia e qeverisjes. Faza e ardhshme nuk do të matet më vetëm me ligje të miratuara apo institucione të ngritura, por me mënyrën se si ato funksionojnë në praktikë. Komisioni kërkon rezultate të qëndrueshme në pavarësinë e drejtësisë, luftën kundër korrupsionit, kontrollin dhe balancën e pushteteve, të drejtat themelore dhe funksionimin e administratës.

Për të arritur në rezultate konkrete, kjo e bën më të rëndësishëm edhe informimin e qytetarëve dhe grupeve të interesit që preken drejtpërdrejt. Procesi nuk mund të shpjegohet vetëm përmes numrit të kapitujve të mbyllur, takimeve në Bruksel apo ligjeve të miratuara.

Informacioni duhet të tregojë çfarë ndryshon për bizneset, fermerët, profesionistët, studentët dhe komunitetet lokale, sa kushton përshtatja dhe çfarë mbështetjeje ofrohet. Këtu media ka një rol më të madh se sa komunikimi i zakonshëm institucional. Mbulimi i procesit mund të zhvendoset më shumë te pasojat konkrete të reformave, me ekspertë të fushës, biznese, komunitete lokale dhe shoqëri civile. Kjo do ta nxirrte integrimin nga niveli kryesisht politik dhe do ta kthente në një debat mbi mënyrën se si ndryshimet prekin jetën e përditshme. Përgatitja për anëtarësim, pra, nuk është vetëm detyrë e administratës qendrore. Ajo është edhe përgatitje e ekonomisë dhe e shoqërisë.

Debati i krijuar nga protestat “Flamingo” lidhet pikërisht me këtë dimension. Çështjet e ngritura rreth mbrojtjes së mjedisit, transparencës, konsultimit publik dhe llogaridhënies prekin fusha që do të vazhdojnë të monitorohen edhe ndërsa kapitujt mbyllen. Rëndësia e tyre për procesin e integrimit qëndron te zbatimi i standardeve në praktikë dhe jo vetëm te ekzistenca e legjislacionit.

Edhe hetimet ndaj zyrtarëve të nivelit të lartë duhen lexuar me të njëjtën logjikë. Ato tregojnë se korrupsioni mbetet një problem serioz, por aftësia e institucioneve për të hetuar persona me pushtet është njëkohësisht provë e pavarësisë dhe funksionimit të tyre.

Kështu, avantazhi aktual i Shqipërisë është i rëndësishëm, por nuk është i mjaftueshëm në vetvete. Progresi në negociata, mbështetja e lartë për BE-në dhe pozicioni strategjik duhet të shoqërohen me kapacitet zbatues dhe me një kulturë qeverisjeje që i bën standardet evropiane të dukshme në praktikë.
Qëllimi është që mbështetja shumë e lartë për orientimin evropian të vendit të kthehet në besim afatgjatë te procesi, dhe të mos dëmtohet nga hendeku mes progresit formal në negociata dhe përvojës së qytetarëve me institucionet brenda vendit.

  1. Mesazhi për Ballkanin Perëndimor.

Qasja e re e BE-së po e bën më të dukshëm dallimin mes kandidatëve ku Mali i Zi dhe Shqipëria kanë hyrë në fazën e mbylljes së kapitujve ndërsa vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor janë duke ecur me ritme të ndryshme apo të bllokuara nga veto.

Gjithsesi, edhe pse në dukje penalizuese për vendet e tjera, kjo nuk do të thotë se integrimi gradual u është rezervuar vetëm vendeve më të avancuara. Komisioni thotë se kandidatët që arrijnë një nivel të ngjashëm përgatitjeje në një fushë duhet të kenë mundësi të ngjashme integrimi dhe aksesi. Një vend që është më larg anëtarësimit mund të avancojë më shpejt në energji, pagesa, transport, digjitalizim apo kërkim nëse plotëson kushtet. Integrimi gradual mundëson që përfitimet të mund të vijnë gjatë procesit dhe jo vetëm në fund të tij. Por ato lidhen drejtpërdrejt me rezultatet dhe mund të pezullohen kur reformat kthehen pas. Pra, mesazhi i BE-së për Ballkanin Perëndimor po bëhet më i thjeshtë: anëtarësimi mbetet i hapur, por secili vend do të ecë sipas rezultateve të veta.

Ky artikull botohet në kuadrin e një serie artikujsh me temë “Media dhe Integrimi evropian”  të  Institutit Shqiptar të Medias.

Artikulli para

Qiratë në Shqipëri u shtrenjtuan dy herë më shumë se mesatarja e BE-së

Artikulli pas

Bizneset raportojnë keqësim të gjendjes financiare dhe ulje të shfrytëzimit të kapaciteteve

SkyWeb

SkyWeb

Nga Kategoria

Si po rrit Banka e Shqipërisë çmimet përmes blerjes masive të eurove që kanë “mbytur” tregun
Ekonomi

Si po rrit Banka e Shqipërisë çmimet përmes blerjes masive të eurove që kanë “mbytur” tregun

12 Tetor, 2026
Integrimi europian duhet të sjellë përfitime të prekshme për qytetarët e shteteve kandidate edhe para anëtarësimit në BE
OP-ED

Integrimi europian duhet të sjellë përfitime të prekshme për qytetarët e shteteve kandidate edhe para anëtarësimit në BE

10 Tetor, 2026
Shqipëria dhe Momentumi i Anëtarësimit në BE
Aktualitet

Shqipëria dhe Momentumi i Anëtarësimit në BE

10 Tetor, 2026
Nuk ka kohë për të humbur kohë me BE
OP-ED

Nuk ka kohë për të humbur kohë me BE

8 Tetor, 2026
Vjeshta që vendos fatin e zgjerimit: Një kalendar pritshmërish për të apasionuarit e politikave të Bashkimit Evropian
OP-ED

Përtej negociatave: Kush ua shpjegon shqiptarëve procesin e anëtarësimit në BE?

6 Tetor, 2026
Shteti ka rënë, por ka zënë poshtë edhe opozitën
OP-ED

Shteti ka rënë, por ka zënë poshtë edhe opozitën

1 Tetor, 2026
Artikulli pas
Mbi 2 mijë biznese të reja u regjistruan në prill

Bizneset raportojnë keqësim të gjendjes financiare dhe ulje të shfrytëzimit të kapaciteteve

Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Të Përzgjedhura

Sistemi që duhej të rriste sigurinë bllokon aeroportet e Europës: Kaos me fluturimet, kërkohet pezullimi i EES
Aviacion

Sistemi që duhej të rriste sigurinë bllokon aeroportet e Europës: Kaos me fluturimet, kërkohet pezullimi i EES

Nga SkyWeb
17 Prill, 2026
0

Një situatë kaotike është regjistruar në aeroportin e Linate në Milano, ku 122 pasagjerë humbën fluturimin drejt Manchester për shkak...

Lexo të plotë
Udhëtoi 1 vit e 3 muaj me biçikletë për t’i propozuar vajzës që dashuronte, indonezianët nuk pranojnë shqiptarin për dhëndër

Udhëtoi 1 vit e 3 muaj me biçikletë për t’i propozuar vajzës që dashuronte, indonezianët nuk pranojnë shqiptarin për dhëndër

2 Nëntor, 2025
Njihuni me robotin infermier

Njihuni me robotin infermier

16 Shtator, 2025
Britaniku që humbi fluturimin e Ryan Air nga Krakow-i në Tiranë bëhet viral në rrjetet sociale

Si fluturimet “low cost” i nxorrën namin e keq turistëve britanikë

21 Shkurt, 2026
“Times Kuwait”: Shqipëria po tërheq vendet e Gjirit

“Times Kuwait”: Shqipëria po tërheq vendet e Gjirit

18 Maj, 2026

Të Fundit

Vrasësi i heshtur: 6 në 10 persona me tension të lartë nuk e dinë që vuajnë nga kjo gjendje

Vrasësi i heshtur: 6 në 10 persona me tension të lartë nuk e dinë që vuajnë nga kjo gjendje

12 Tetor, 2026
Forumi Strategjik i Ballkanit/ Shqipëria dhe Greqia, partneritet për më shumë investime, siguri dhe integrim europian

Forumi Strategjik i Ballkanit/ Shqipëria dhe Greqia, partneritet për më shumë investime, siguri dhe integrim europian

12 Tetor, 2026
Katër shtëpi dhe akuza për euro në kuti vere nga Ermal Beqiri, ish-shefja e AKSHIt-t Mirlinda Karçanaj paraqitet në SPk

Mirlinda Karçanaj pyetet për më shumë se 3 orë në SPAK

12 Tetor, 2026
Ushqimet dhe transporti rëndojnë buxhetet familjare, u shtrenjtuan edhe më tepër në shtator

Mbi 200 produkte USHQIMORE me çmime të fiksuara deri në janar, ku do t’i shihni detajet për supermarketet

12 Tetor, 2026
SkyWeb.al

Info

Skyweb.al është media online me profil ekonomik, e fokusuar në lajme të thelluara mbi ekonominë, financat, biznesin, turizmin dhe aviacionin civil.

Kontakt

Email: info@skyweb.al

NIPT: M51916003M

© 2026 SkyWeb.al - Zhvilluar nga eDigital.al

Nuk u gjet asnjë rezultat
Shiko të gjitha
  • Kreu
  • Aktualitet
  • Fokus
  • Ekonomi
  • Turizëm
  • Aviacion
  • Shëndet
  • OP-ED

© 2026 SkyWeb.al - Zhvilluar nga eDigital.al

Mirësevini!

Hyni në llogarinë tuaj.

Keni harruar fjalëkalimin?

Riktheni fjalëkalimin

Ju lutem shkruani username ose email

Hyr