• Kreu
  • Aktualitet
  • Fokus
  • Ekonomi
  • Turizëm
  • Aviacion
  • Shëndet
  • OP-ED
  • Kush jemi ne
  • Terms and conditions
  • Privacy Policy
E shtunë, 10 Tetor, 2026
  • Hyr
SkyWeb.al
  • Kreu
  • Aktualitet
  • Fokus
  • Ekonomi
  • Turizëm
  • Aviacion
  • Shëndet
  • OP-ED
Nuk u gjet asnjë rezultat
Shiko të gjitha
SkyWeb.al
  • Kreu
  • Aktualitet
  • Fokus
  • Ekonomi
  • Turizëm
  • Aviacion
  • Shëndet
  • OP-ED
Nuk u gjet asnjë rezultat
Shiko të gjitha
SkyWeb.al
Nuk u gjet asnjë rezultat
Shiko të gjitha
Kreu Aktualitet

Shqipëria dhe Momentumi i Anëtarësimit në BE

SkyWeb Nga SkyWeb
10 Tetor, 2026
në Aktualitet, OP-ED
A A
0
Shqipëria dhe Momentumi i Anëtarësimit në BE
Share on FacebookShare on WhatsApp

nga Krisela Hackaj

Shqipëria, së bashku me Malin e Zi, është ndër vendet pararojë në procesin e anëtarësimit, me negociata që synohet të përfundojnë në fund të vitit 2027. BE-ja tashmë ka hyrë në një fazë kritike të debatit se si duhet të përgatitet institucionalisht dhe financiarisht për zgjerimin e saj të radhës. Komunikata e Komisionit Evropian mbi rishikimin e politikave para zgjerimit e publikuar më 6 tetor, diskutimet e Këshillit në mesin e tetorit mbi Zgjerimin dhe Reformat, Paketa e Zgjerimit e plotësuar me udhërrëfyes për secilin vend pararojë në fund të tetorit, si dhe negociatat për Kuadrin Financiar Shumëvjeçar 2028-2034 të BE-së, do të përcaktojnë nëse dinamizmi aktual i zgjerimit mund të shndërrohet në një rrugë të besueshme drejt anëtarësimit.

Për Shqipërinë, anëtarësimi në BE mbetet korniza kryesore për përfundimin e procesit të ndërtimit të institucioneve dhe të transformimit të shtetit. Mbështetja e opinionit publik për anëtarësimin mbetet jashtëzakonisht e lartë dhe objektivi politik është anëtarësimi në BE në vitin 2030.

Pyetja tani është si mund ta përkthejnë BE-ja dhe Shqipëria këtë ritëm në gatishmëri për anëtarësim, dhe si mund BE-ja t’i rrisë përfitimet e progresit të regjistruar dhe ti bëjë më të prekshme përpara anëtarësimit formal.

Vrulli i Shqipërisë në Negociatat e Anëtarësimit

Viti 2026 është pa dyshim viti më dinamik për zgjerimin që nga viti 2003. Mali i Zi po përparon drejt fazës përfundimtare të negociatave, ndërsa Shqipëria ka kaluar fazën e hapjes me shpejtësi të paprecedentë dhe ka filluar tashmë mbylljen e kapitujve. Që nga hapja e Grupkapitujve të Themeloreve në tetor 2024, Shqipëria ka hapur të 33 kapitujt; në maj 2026 u konfirmuan si të përmbushura piketat e ndërmjetme të Grupkapitujve të Themeloreve, dhe në korrik 2026 u mbyllën përkohësisht tre kapitujt e parë.

Shqipëria u përgatit në mënyrë intensive gjatë procesit të screening-ut, me përfundimin e reformave të rëndësishme strukturore të kërkuara si parakushte përpara hapjes së negociatave. Pikërisht avancimi i hershëm i reformave (frontloading) shpjegon – ndër të tjera – shpejtësinë e procesit. Agjenda e Reformave në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje e përforcoi gjithashtu këtë vrull, duke përfshirë në kushtëzimin financiar të këtij instrumenti përmbushjen e disa prej piketave përmbyllëse për disa kapituj negociues.

Kushtëzimi ka qenë motori i këtij progresi. I kuptuar si perspektivë mjaftueshëm e besueshme anëtarësimi, ai është efektiv kur gjeneron nxitje politike dhe mbështetje publike për reforma të vështira dhe të kushtueshme. Por marrëdhënia funksionon në të dyja drejtimet: vendet kandidate duhet të performojnë, ndërsa BE-ja duhet të ruajë një ofertë të besueshme dhe operacionale drejt anëtarësimit. Dobësimi i vrullit nga ana e BE-së do të zbehte motivimin politik të brendshëm për reforma, duke kontribuar nga ana tjetër në fenomenin “lodhje nga zgjerimi” dhe në dobësimin e mëtejshëm të dinamikës së reformave.

Prandaj, faza e ardhshme e zgjerimit duhet të përforcojë dinamikat që ndihmojnë njëra-tjetrën dhe të jetë në gjendje të aktivizojë “amplifikatorë” për qarqet virtuoze dhe “ndërprerës” për ato vicioze. Ndërtimi i gatishmërisë për anëtarësim siguron qëndrueshmëri dhe e shkëput progresin e vendeve kandidate nga ndryshimet e brendshme që prekin shtetet anëtare të BE-së.

Transformimi i shtetit përtej kapitujve

Për Shqipërinë, anëtarësimi në BE është shumë më tepër se një ushtrim teknik i transpozimit të legjislacionit dhe ndërtimit të institucioneve të reja. Është një proces afatgjatë transformimi i shtetit, që përfundon me integrimin në sistemin evropian të qeverisjes. Brenda një brezi, Shqipërisë i është dashur të ndërtojë institucione që vendet e tjera evropiane i kanë realizuar ne dekada, e ndonjëherë shekuj, për t’i zhvilluar plotësisht, dhe gjithë kjo duke reformuar ekonominë dhe duke u përballur me ndryshime të thella shoqërore.

Por ndërtimi i institucioneve të standardit evropian është vetëm pjesa e parë e sfidës. Detyra më e vështirë është të sigurohet që ato të mbeten të pavarura, gjithëpërfshirëse dhe të qeverisura profesionalisht, si dhe rezistente ndaj ndërhyrjeve politike, korrupsionit dhe ndikimeve të jashtme.

Protestat e fundit qytetare në Shqipëri janë një kujtesë se progresi institucional nuk mund të matet vetëm përmes ligjeve të miratuara, piketave të përmbushura apo numrit të kapitujve të hapur dhe të mbyllur. Ato ecin paralelisht me emancipimin shoqëror dhe me pritshmëritë e qytetarëve se si duhet të funksionojnë institucionet, si duhet të merren vendimet dhe si duhet t’i japë llogari pushteti. Nuk është rastësi që Kapitulli 27 është bërë kapitulli më i njohur i negociatave me BE-në në Shqipëri në vitin 2026. Qytetarët e gjykojnë gjithnjë e më shumë procesin e anëtarësimit nga cilësia e qeverisjes që përjetojnë, dhe jo nga piketat e përkohshme apo përfundimtare të negociatave. Prandaj, procesi duhet të ofrojë standardet që qytetarët i asociojnë me anëtarësimin në BE.

Prova operacionale e integrimit gradual

Këtu integrimi gradual i përforcuar merr rëndësi strategjike. Publikimi i Komunikatës së Komisionit Evropian Preparing for a wider Union, më 6 tetor 2026, shënon një hap përpara: integrimi gradual paraqitet si një proces që duhet të bëhet më koherent, më i strukturuar dhe më i parashikueshëm. Sfida tani është që KE ta shndërrojë këtë orientim politik në një kuadër operacional me vulën e të gjitha vendeve anëtare dhe ta lidhë progresin e verifikueshëm në negociata me përfitime konkrete për qytetarët, bizneset dhe institucionet e vendeve kandidate.

Legjitimiteti dhe mbështetja shoqërore për procesin e anëtarësimit varen, në fund të fundit, nga fakti nëse qytetarët shohin që reformat po përmirësojnë jetën dhe punën e tyre përpara anëtarësimit të plotë. Integrimi gradual mund ta lidhë më drejtpërdrejt progresin e negociatave me këto përfitime: sa më shumë Shqipëria të zbatojë reformat, të përmbushë kriteret përkatëse dhe të dëshmojë gatishmëri institucionale e administrative, aq më shumë mundësi duhet të fitojë për të marrë pjesë në tregun e brendshëm dhe në politikat, programet dhe strukturat përkatëse të BE-së.

Komisioni ka konfirmuar këtë drejtim. Ai parashikon hartëzimin e instrumenteve ekzistuese dhe identifikimin e mundësive për integrim më të thellë në sektorë strategjikë, përfshirë energjinë, transportin, sektorin digjital dhe mbrojtjen. Gjithashtu, parashikon dialogë vjetorë me vendet kandidate për të vlerësuar progresin, për të identifikuar mundësi të reja dhe për të adresuar boshllëqet dhe pengesat që mbeten. Për Shqipërinë dhe vendet e tjera që avancojnë më shpejt, udhërrëfyesit orientues të njoftuar për Paketën e Zgjerimit 2026 mund të krijojnë një lidhje më të qartë ndërmjet prioriteteve të reformave, afateve dhe përgatitjeve për anëtarësim.

Megjithatë, ky është fillimi i operacionalizimit, jo përfundimi i tij. Komisioni ka përcaktuar drejtimin strategjik, sektorët fillestarë dhe parimet që duhet të udhëheqin procesin, por ende nuk ka përcaktuar një ofertë të plotë dhe të diferencuar të integrimit gradual për Shqipërinë. Mbetet të sqarohet se cilat pjesë të tregut të brendshëm dhe cilat politika, programe apo struktura të BE-së mund të hapen për pjesëmarrje më të hershme; çfarë kushtesh ligjore, rregullatore dhe institucionale duhet të përmbushë vendi; dhe si do të maten përfitimet, kostot dhe ndikimi konkret për qytetarët dhe bizneset.

Një kuadër operacional i besueshëm duhet t’u përgjigjet të paktën katër pyetjeve:

  • Ku mund të integrohet Shqipëria më herët? Duhet të identifikohen sektorët, politikat dhe pjesët e tregut të brendshëm ku përparimi i verifikueshëm i negociatave mund të përkthehet në qasje më të thellë, si dhe programet, rrjetet dhe strukturat përkatëse ku pjesëmarrja e hershme do të sillte vlerë të shtuar.
  • Nën çfarë kushtesh? Duhet të përcaktohen kriteret e pranueshmërisë, standardet që duhen përmbushur, kapacitetet institucionale të nevojshme dhe mënyra se si progresi do të verifikohet.
  • Me çfarë përfitimesh dhe kostosh? Duhet të sqarohet çfarë fitojnë qytetarët, bizneset dhe institucionet shqiptare, cilat kontribute financiare kërkohen dhe si do të financohen përshtatja rregullatore, investimet dhe forcimi i kapaciteteve.
  • Me çfarë mekanizmash monitorimi dhe llogaridhënie? Duhet të përcaktohen treguesit e progresit, procedurat e rishikimit, masat korrigjuese dhe kushtet për pezullimin ose tërheqjen e përfitimeve në rast regresi.

Komunikata nuk premton një qasje automatike dhe as një model uniform për të gjitha vendet kandidate. Komisioni konfirmon se pjesëmarrja duhet të mbetet e bazuar në merita, e kushtëzuar nga progresi në përgatitjet për anëtarësim, gatishmëria në politikat përkatëse dhe përafrimi strategjik me BE-në. Sfida është që këto parime të përkthehen në kritere transparente dhe të parashikueshme, në mënyrë që vendet kandidate të dinë se çfarë duhet të arrijnë për të fituar qasje më të thellë dhe çfarë përfitimesh mund të presin në këmbim.

Nëse operacionalizohet kur dhe siç duhet, integrimi gradual mund të sjellë përfitime për të dyja palët. Vendet kandidate fitojnë qasje më të hershme në mundësitë dhe standardet evropiane dhe lëvizin drejt mësimit gjatë zbatimit (learning by doing); BE-ja fiton partnerë më të aftë, ul ndjeshëm investimet e veta në ndërtimin e kapaciteteve dhe i lidh vendet kandidate me sistemin e saj të qeverisjes. Kjo e shndërron “dhomën e pritjes së anëtarësimit” në një rrugë të kontrolluar, ku gatishmëria teknike në rritje sjell përfitime dypalëshe multisektoriale.

Kuadri Financiar Shumëvjeçar si mundësues i zgjerimit të ardhshëm të BE

Objektivi i anëtarësimit të Shqipërisë në 2030 e bën buxhetin e ardhshëm të BE-së veçanërisht të rëndësishëm.

Sipas ciklit aktual, anëtarësimi i Shqipërisë do të ndodhë gjatë buxhetit 2028-2034. Prandaj, buxheti i ardhshëm i BE-së nuk është thjesht një kuadër financiar që vjen pasi ndodh zgjerimi; ai është një instrument që e kushtëzon zgjerimin.

Në këtë perspektivë, mbështetja financiare e para-anëtarësimit e Global Europe duhet t’u ofrojë vendeve kandidate pararojë (Frontrunners) më shumë qartësi, shumë më përpara anëtarësimit, se si do të funksionojë kalimi nga instrumentet e jashtëm te politikat e brendshme të Unionit dhe financimi përkatës. Përfshirja e vendeve pararojë në hartimin e këtyre politikave do të kontribuonte gjithashtu në gatishmërinë dhe aftësinë e tyre të ardhshme për thithëse.

Qëndrimi i Parlamentit Evropian mbi KFSH-në e ardhshme shkon në këtë logjikë: buxheti i ri i BE-së duhet të përgatisë si BE-në ashtu edhe vendet kandidate për zgjerimin, të forcojë Global Europe në pritje të anëtarësimeve të ardhshme dhe ta bëjë financimin e para-anëtarësimit më të parashikueshëm, transparent dhe të hapur ndaj llogaridhënies.

Zgjerimet e mëparshme na tregojnë se anëtarësimi nuk përkthehet mekanikisht në një rritje të menjëhershme proporcionale të disbursimeve të BE-së drejt anëtarëve të rinj. Gjatë periudhës së tyre fillestare të anëtarësimit, anëtarët e rinj u përballën me kufizime dhe mangësi domethënëse institucionale dhe administrative, të cilat ulën aftësinë e tyre përthithëse për fondet e disponueshme të BE-së, veçanërisht në vitet e para pas anëtarësimit. Kjo çon në një rritje – paradoksale – të fondeve të BE-së të disponueshme për përfituesit e shteteve anëtare “të vjetra”.

Për Shqipërinë, me konfirmimin në Tetor 2026 të objektivit kohor të agjendës së anëtarësimit, KE-ja duhet të fillojë përgatitjen e paketës financiare për anëtarësim, me kusht që Shqipëria të ruajë ritmin e negociatave dhe të ofrojë progres të verifikueshëm në reforma. Përgatitja e hershme e një pakete financiare të anëtarësimit do t’u ofronte si BE-së ashtu edhe Shqipërisë më shumë qartësi mbi implikimet praktike të anëtarësimit. Ajo do të mbështeste gjithashtu gatishmërinë institucionale duke e lehtësuar kalimin nga Global Europe drejt politikave të brendshme të BE-së. Sidomos, ajo do të ofronte një bazë për diskutim më të hershëm me Shqipërinë mbi arkitekturën e ardhshme të mbështetjes së BE-së, përfshirë shkallën dhe sekuencimin e saj, kërkesat institucionale për përthithje efektive dhe implikimet financiare të anëtarësimit, përfshirë kontributin e ardhshëm të Shqipërisë në buxhetin e BE-së.

Çështja më e gjerë, pra, nuk është thjesht vëllimi i financimit që i ofrohet Shqipërisë. Pyetja më strategjike është se si mbështetja financiare e para-anëtarësimit mund ta përgatisë progresivisht një vend anëtar të ardhshëm për pjesëmarrjen e tij në sistemin financiar dhe të qeverisjes së Unionit. Një nivel parashikueshmërie më të lartë mbi tranzicionin drejt politikave dhe instrumenteve financiare të brendshme të BE-së do të ndihmonte në harmonizimin e përgatitjes institucionale të Shqipërisë me realitetet e anëtarësimit.

Ky artikull botohet në kuadrin e një serie artikujsh me temë “Media dhe Integrimi evropian”  të  Institutit Shqiptar të Medias.

 

Artikulli para

Kapi shtetin, rritja e shpejtë dhe rrëzimi i Ergys Agasit

Artikulli pas

Pabarazia, më pak se 5% e llogarive mbajnë mbi gjysmën e depozitave të individëve në banka

SkyWeb

SkyWeb

Nga Kategoria

Kapi shtetin, rritja e shpejtë dhe rrëzimi i Ergys Agasit
Aktualitet

Kapi shtetin, rritja e shpejtë dhe rrëzimi i Ergys Agasit

10 Tetor, 2026
Rama thotë se është i ndershëm dhe nuk ka në xhep asnjë qindarkë të dikujt: Jam për të bërë histori, jo për pasuri
Aktualitet

Rama njofton një ministri të re javën e ardhshme, kush do t’a drejtojë

9 Tetor, 2026
Partneriteti strategjik Shqipëri-SHBA, Presidenti Begaj dekoron dy senatorët amerikanë
Aktualitet

Partneriteti strategjik Shqipëri-SHBA, Presidenti Begaj dekoron dy senatorët amerikanë

9 Tetor, 2026
Gjyqtarja Navi Pillay fiton Çmimin Nobel për Paqen 2026
Aktualitet

Gjyqtarja Navi Pillay fiton Çmimin Nobel për Paqen 2026

9 Tetor, 2026
Bordi i Transparencës publikon çmimet e reja të karburanteve
Aktualitet

Bordi i Transparencës cakton çmime të reja për karburantet

9 Tetor, 2026
FOTO/ Rama qesh, Braçe vë duart në kokë, Elisa në këmbë: Çfarë nuk u pa pas votimit për shkrirjen e bashkive
Aktualitet

FOTO/ Rama qesh, Braçe vë duart në kokë, Elisa në këmbë: Çfarë nuk u pa pas votimit për shkrirjen e bashkive

9 Tetor, 2026
Artikulli pas
Pabarazia, më pak se 5% e llogarive mbajnë mbi gjysmën e depozitave të individëve në banka

Pabarazia, më pak se 5% e llogarive mbajnë mbi gjysmën e depozitave të individëve në banka

Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Të Përzgjedhura

Rama “shkarkon” Veliajn dhe propozon Manastirliun kandidate të PS në Tiranë
Aktualitet

Rama “shkarkon” Veliajn dhe propozon Manastirliun kandidate të PS në Tiranë

Nga SkyWeb
11 Shtator, 2025
0

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar sot një vendim të rëndësishëm politik, duke i hapur rrugë zgjedhjeve për një kryetar të...

Lexo të plotë
Butrinti, i preferuari i turistëve në Shqipëri

Butrinti, i preferuari i turistëve në Shqipëri

26 Mars, 2026
Shija që njohim, siguria që kërkojmë: Disa fakte që duhet t’i dijmë për qumështin shqiptar

Shija që njohim, siguria që kërkojmë: Disa fakte që duhet t’i dijmë për qumështin shqiptar

9 Shkurt, 2026
Sot është dita e kontrollorëve ajrorë, heronjtë e heshtur të qiellit

Sot është dita e kontrollorëve ajrorë, heronjtë e heshtur të qiellit

21 Tetor, 2025
Rama nuk lëshon pe: Zogu, zgjedhje ka vetëm në vitin 2029

PROTESTA/ Rama: Duhet të kesh shumë guxim dhe të mos kesh turp të kërkosh dorëheqjen time!

10 Qershor, 2026

Të Fundit

Si po kthehen berberët në “psikologë” për burrat

Si po kthehen berberët në “psikologë” për burrat

10 Tetor, 2026
MINI Cooper zgjedh Shqipërinë për realizimin e reklamës promovuese

MINI Cooper zgjedh Shqipërinë për realizimin e reklamës promovuese

10 Tetor, 2026
Pabarazia, më pak se 5% e llogarive mbajnë mbi gjysmën e depozitave të individëve në banka

Pabarazia, më pak se 5% e llogarive mbajnë mbi gjysmën e depozitave të individëve në banka

10 Tetor, 2026
Shqipëria dhe Momentumi i Anëtarësimit në BE

Shqipëria dhe Momentumi i Anëtarësimit në BE

10 Tetor, 2026
  • Kreu
  • Aktualitet
  • Fokus
  • Ekonomi
  • Turizëm
  • Aviacion
  • Shëndet
  • OP-ED
  • Kush jemi ne
  • Terms and conditions
  • Privacy Policy

© 2026 SkyWeb.al - Zhvilluar nga eDigital.al

Nuk u gjet asnjë rezultat
Shiko të gjitha
  • Kreu
  • Aktualitet
  • Fokus
  • Ekonomi
  • Turizëm
  • Aviacion
  • Shëndet
  • OP-ED

© 2026 SkyWeb.al - Zhvilluar nga eDigital.al

Mirësevini!

Hyni në llogarinë tuaj.

Keni harruar fjalëkalimin?

Riktheni fjalëkalimin

Ju lutem shkruani username ose email

Hyr