Mallrat dhe shërbimet në Shqipëri janë shtrenjtuar mesatarisht me 27,7% gjatë viteve 2015–2025, sipas të dhënave të INSTAT. Për një shportë që kushtonte 10 mijë lekë në vitin 2015, në vitin 2025 duheshin rreth 12.770 lekë.
Kjo rritje ka gërryer vlerën reale të shpenzimeve familjare në pesë qarqe: Lezhë, Kukës, Gjirokastër, Shkodër dhe Durrës. Familjet atje shpenzojnë më shumë lekë, por rritja e shpenzimeve ka mbetur pas shtrenjtimit të çmimeve.
Diferenca më e fortë është në Lezhë, ku shpenzimet mujore u rritën vetëm me 9,5%, nga 79.374 në 86.935 lekë. Në Kukës, rritja ishte 10,2%, në Gjirokastër 15,4%, në Shkodër 17,7% dhe në Durrës 23,3%. Të gjitha këto ritme janë nën inflacionin e akumuluar.
Në nivel kombëtar, një familje shpenzonte mesatarisht 95.227 lekë në muaj në vitin 2025, kundrejt 70.766 lekëve në vitin 2015. Rritja prej 34,6% e kalon shtrenjtimin e çmimeve me 6,9 pikë përqindje.
Vlora regjistron rritjen më të madhe të shpenzimeve, me 69,3%, e ndjekur nga Elbasani me 49,4% dhe Korça me 45%. Mbi inflacionin rezultojnë edhe Dibra, Tirana, Berati dhe Fieri.
Tirana ka nivelin më të lartë të shpenzimeve mujore: 110.904 lekë për familje, nga 81.710 lekë një dekadë më parë. Por në pesë qarqet ku shpenzimet kanë mbetur pas çmimeve, buxheti familjar blen më pak mallra dhe shërbime se në vitin 2015.
Marrë me shkurtime nga Monitor. Titulli është i redaksisë
















