Një avion Boeing 787 Dreamliner i kompanisë Qantas është nxjerrë përkohësisht nga shërbimi në Romë, pasi pasagjerët raportuan pickime nga çimkat gjatë fluturimit nga Australia drejt Italisë. Incidenti detyroi kompaninë të anulonte udhëtimin e kthimit dhe ta dërgonte avionin për pastrim të thelluar.
Ankesat u regjistruan në fluturimin QF5 nga Perth drejt Romës, më 9 tetor. Sipas raportimit të Sydney Morning Herald, pasagjerëve të prekur iu dhanë ilaçe antihistaminike për të lehtësuar shqetësimet nga pickimet, por rezervat në bord përfundimisht u shteruan.
Pas mbërritjes në Romë, avioni u ndalua për pastrim. Për pasojë, fluturimi QF6 drejt Perthit, i planifikuar për më 10 tetor, u anulua.
Qantas kërkoi ndjesë për ndërprerjen e udhëtimit dhe tha se problemi ishte identifikuar në një numër të vogël sediljesh të klasës ekonomike. Kompania sqaroi se anulimi u dha kohë ekipeve teknike dhe të mirëmbajtjes për të kryer pastrimin e nevojshëm.
Pasagjerëve që prisnin të ktheheshin në Australi iu sigurua akomodim, ndërsa rezervimet u kaluan në fluturime alternative brenda 48 orëve nga nisja e planifikuar.
Kompania deklaroi se kabinat pastrohen rregullisht sipas standardeve të larta dhe se avionët i nënshtrohen trajtimit parandalues kundër insekteve çdo 50 ditë. /skyweb.al
















