Industria globale e aviacionit po përballet me krizën më të rëndë që prej pandemisë së Covid-19, ndërsa rritja e fortë e çmimit të karburantit, si pasojë e luftës së SHBA-së dhe Izraelit me Iranin, ka vënë në vështirësi financiare disa kompani ajrore.
Kompania norvegjeze Norse Atlantic është goditja më e fundit për sektorin. Transportuesi ajror pezulloi fluturimet më 26 nëntor, duke paralajmëruar se do të kërkojë shpalljen e falimentimit nëse nuk siguron urgjentisht financim shtesë.
Kompania nuk ka arritur të paguajë as pagat e punonjësve, ndërsa të gjithë avionët e saj janë rikthyer në bazat në Norvegji, Suedi dhe Britaninë e Madhe.
Çmimi i karburantit të avionëve në Europë u më shumë se dyfishua gjatë marsit dhe ka mbetur në nivele të larta përgjatë vitit. Karburanti përbën zakonisht rreth 20% të kostove të kompanive ajrore.
Transportuesi amerikan me kosto të ulët Spirit Airlines ndërpreu plotësisht aktivitetin më 2 maj, pasi dështuan përpjekjet për sigurimin e një pakete shpëtimi nga qeveria amerikane dhe kreditorët refuzuan të ofronin kapital shtesë.
Në shtator, kompania kombëtare letoneze airBaltic nisi procedurat e mbrojtjes nga falimentimi në SHBA, duke paralajmëruar shkurtimin e 500 deri në 700 vendeve të punës. Qeveria e Letonisë ka miratuar një garanci shtetërore deri në 175 milionë euro për të mundësuar sigurimin e financimeve private.
Në vështirësi ndodhet edhe kompania spanjolle me kosto të ulët Volotea, e cila ka nisur negociatat me kreditorët për ristrukturimin e borxhit dhe sigurimin e kapitalit të ri. Sipas kompanisë, rritja e çmimit të karburantit i ka shkaktuar rreth 150 milionë euro kosto shtesë që prej marsit.
Një tjetër transportues spanjoll, Plus Ultra, pezulloi më 23 nëntor fluturimet Madrid–Karakas, duke ndërprerë edhe linjën e fundit të rregullt që kishte në funksion. Më herët, kompania kishte pezulluar fluturimet drejt Perusë, Argjentinës dhe Kolumbisë.
Veçanërisht të ekspozuara ndaj krizës janë kompanitë që nuk kishin siguruar paraprakisht çmimin e karburantit përmes kontratave mbrojtëse, si dhe transportuesit me kosto të ulët, të cilët operojnë me marzhe të kufizuara fitimi.
Rritja e kostove po ushtron presion mbi kompanitë ajrore për reduktimin e fluturimeve, shkurtimin e vendeve të punës dhe sigurimin e financimeve emergjente për të vijuar aktivitetin. /skyweb.al
















