Shqiptarët do të përballen me një regjim të ri taksash nga 1 janari 2027, me rritje të normës standarde të TVSH-së, zgjerim të numrit të bizneseve që do të paguajnë këtë tatim, taksim më të lartë të dividendit dhe rritje të detyrimeve vjetore për automjetet.
Me 80 vota pro, 22 kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi miratoi buxhetin e shtetit për vitin 2027, i cili parashikon shpenzime në vlerën e rreth 10 miliardë eurove. Seanca parlamentare, që vijoi deri në orët e para të mëngjesit të së premtes, përfundoi edhe me miratimin e pesë ligjeve të paketës fiskale.
Një prej ndryshimeve të minutës së fundit ishte zgjatja e lehtësive fiskale për investitorët e hoteleve dhe resorteve me katër dhe pesë yje që operojnë nën marka ndërkombëtare.
Me 77 vota, Kuvendi miratoi amendamentin e deputetes socialiste Brisejda Çakërri, përmes të cilit afati për marrjen e statusit special shtyhet deri në dhjetor 2029. Investitorët që plotësojnë kriteret do të përjashtohen nga tatimi mbi fitimin për dhjetë vjet. Ndërkohë, TVSH-ja për shërbimet e akomodimit rritet nga 6% në 10%.
Nga viti i ardhshëm ndryshon edhe mënyra e taksimit të automjeteve. Taksa e qarkullimit nuk do të aplikohet më mbi karburantet, por do të kompensohet përmes rritjes mesatarisht me dy herë të taksave vjetore të automjeteve.
Paketa fiskale rishikon gjithashtu fashat e tatimit mbi të ardhurat nga punësimi. Norma prej 23% do të aplikohet për pjesën e pagës mujore mbi 300 mijë lekë, nga 200 mijë lekë aktualisht, ndërsa për të ardhurat mbi 700 mijë lekë në muaj parashikohet një normë më e lartë tatimore.
Barrë më të madhe fiskale do të kenë pronarët dhe aksionerët e kompanive që shpërndajnë fitimet. Tatimi mbi dividendin rritet me 7 pikë përqindjeje, duke kaluar nga 8% në 15%.
Nga 1 janari 2027, detyrimin për t’u regjistruar në skemën e TVSH-së do ta kenë bizneset me qarkullim vjetor mbi 5 milionë lekë, nga 10 milionë lekë që është kufiri aktual. Përfshirja e mijëra subjekteve të reja në këtë skemë do të përcaktohet mbi bazën e xhiros së realizuar gjatë vitit 2026. Për fermerët, pragu mbetet i pandryshuar.
Rritet ndërkohë edhe norma standarde e TVSH-së, nga 20% në 21%, ndërsa për një kategori produktesh të konsumit bazë do të zbatohet norma e reduktuar prej 6%.
Kuvendi miratoi ruajtjen e akcizës së diferencuar për duhanin e prodhuar në Shqipëri, si dhe një sërë ndryshimesh në procedurat tatimore që prekin parapagimet, transaksionet me para në dorë dhe çregjistrimin e bizneseve. /skyweb.al
















