Shqipëria po fiton gjithnjë e më shumë vëmendjen e mediave ndërkombëtare të turizmit, jo vetëm për bukuritë e saj natyrore dhe plazhet e Rivierës, por edhe për pozicionin strategjik gjeografik, që u jep turistëve mundësinë të eksplorojnë disa vende evropiane gjatë të njëjtave pushime.
Në një artikull të publikuar së fundmi, media amerikane e udhëtimeve “Travel Off Path” e rendit Shqipërinë mes destinacioneve që ofrojnë mundësinë për të vizituar dy shtete evropiane brenda një kohe shumë të shkurtër.
Në fokus është itinerari Sarandë–Korfuz, ku udhëtimi me traget të shpejtë drejt ishullit grek mund të zgjasë vetëm 30 minuta.
Saranda, destinacioni që të çon drejt Korfuzit
Riviera Shqiptare vijon të jetë një nga zonat më tërheqëse turistike në Evropë. Plazhet me ujëra të kristalta, nuancat bruz të detit dhe çmimet konkurruese të akomodimit e kanë kthyer atë në një zgjedhje gjithnjë e më popullore për turistët e huaj.
Sipas artikullit të “Travel Off Path”, në disa struktura akomoduese çmimet mund të nisin nga rreth 40 dollarë nata.
Saranda mbetet një nga pikat kryesore të kësaj oferte turistike, falë vijës së saj bregdetare, bareve, hoteleve dhe restoranteve të shumta që ofrojnë gatime tradicionale dhe produkte deti.
Vetëm pak kilometra larg ndodhen edhe plazhet e famshme të Ksamilit, si dhe Parku Kombëtar i Butrintit, një prej pasurive më të rëndësishme arkeologjike të Shqipërisë.
Butrinti vlerësohet veçanërisht për trashëgiminë e tij historike, ku vizitorët mund të zbulojnë teatrin antik, rrënojat e tempujve dhe kalanë që ngrihet mbi kodër. Sipas artikullit, zona ofron një përvojë të veçantë kulturore, me një kosto hyrjeje relativisht të përballueshme krahasuar me shumë atraksione të njohura në Greqi dhe Itali.
Korfuzi, vetëm 30 minuta larg me traget
Një nga avantazhet më pak të njohura për turistët që vizitojnë Sarandën është afërsia me ishullin grek të Korfuzit.
I dukshëm nga bregdeti i qytetit, Korfuzi ndodhet shumë pranë Shqipërisë dhe mund të arrihet përmes një udhëtimi të shkurtër detar.
Tragetet e shpejta që lidhin portin e Sarandës me Korfuzin e përshkojnë itinerarin në rreth 30 minuta, duke krijuar mundësinë për një vizitë njëditore në Greqi pa pasur nevojë për fluturime apo udhëtime të gjata.
Qyteti i Korfuzit mirëpret vizitorët me arkitekturën e tij veneciane, ndërtesat shumëngjyrëshe, rrugicat me kalldrëm, kishat karakteristike dhe dy fortifikimet historike që dominojnë qendrën e vjetër.
Eksplorimi i atraksioneve kryesore mund të realizohet brenda disa orësh, ndërsa pjesa tjetër e ditës mund t’i kushtohet gastronomisë lokale dhe shëtitjeve përgjatë bregdetit.
Për turistët që kanë më shumë kohë në dispozicion, një tjetër alternativë është Palaiokastritsa, në pjesën perëndimore të ishullit, e njohur për plazhet piktoreske dhe ujërat e saj të kristalta. Zona mund të arrihet me autobus nga qyteti i Korfuzit për rreth 50 minuta.
Sa kushton udhëtimi nga Saranda në Korfuz?
Sipas informacionit të publikuar në artikull, bileta e tragetit për një drejtim kushton rreth 21–27 dollarë, në varësi të operatorit, shpejtësisë së tragetit dhe periudhës së sezonit turistik.
Udhëtarët duhet të kenë parasysh se udhëtimi përfshin procedurat e kontrollit kufitar dhe të pasaportave në të dyja portet.
Për këtë arsye, rekomandohet që pasagjerët të paraqiten në port të paktën një orë përpara nisjes.
Ndërsa tragetet e shpejta e përshkojnë distancën në rreth 30 minuta, tragetet e zakonshme mund të kërkojnë afërsisht një orë udhëtim.
Shqipëria në hartën e udhëtimeve ndërkufitare në Evropë
Përveç lidhjes mes Sarandës dhe Korfuzit, “Travel Off Path” përmend edhe dy itinerare të tjera evropiane që mundësojnë vizitën e dy shteteve brenda një kohe të shkurtër.
Bëhet fjalë për udhëtimin nga Trieste, në Itali, drejt Koperit, në Slloveni, si dhe itinerarin nga Kopenhaga, në Danimarkë, drejt qytetit suedez të Malmös.
Përfshirja e Shqipërisë në këtë listë është një tjetër dëshmi e potencialit turistik të vendit, i cili përveç destinacioneve të tij bregdetare, ofron edhe mundësi të shumta për të eksploruar kulturat, historinë dhe bukuritë e vendeve fqinje. /skyweb.al
















