Saranda dhe Riviera Shqiptare promovohen në mediat ndërkombëtare si destinacione për turizëm aktiv, aventura në natyrë dhe udhëtime panoramike. Në një artikull të publikuar nga media turke e specializuar në turizëm “FTN News” (Focus on Travel News), Shqipëria e jugut prezantohet si një destinacion që ofron shumë më tepër se pushimet tradicionale në plazh, duke ndërthurur bukurinë e bregdetit të Jonit me pasuritë natyrore dhe trashëgiminë historike.
Artikulli e veçon Sarandën si një pikënisje ideale për të eksploruar zonat përreth. Nga Ksamili dhe plazhet e Rivierës Shqiptare, deri te Syri i Kaltër, Butrinti dhe Gjirokastra, turistëve u ofrohen mundësi të shumta për të kombinuar pushimet buzë detit me eksplorimin e natyrës dhe historisë.
Një vëmendje e veçantë i kushtohet udhëtimit panoramik përgjatë rrugës që lidh Sarandën me Vlorën, përmes bregdetit Jon dhe Qafës së Llogorasë. Ky itinerar vlerësohet për peizazhet spektakolare, ndalesat panoramike dhe mundësinë për të zbuluar plazhe e fshatra bregdetare.
Media turke ndalet gjithashtu te mundësitë për ecje në natyrë dhe eksplorimin e zonave malore. Si destinacione të veçanta përmenden Gjirokastra, me qytetin historik dhe kalanë, si dhe Syri i Kaltër, që tërheq vizitorët me ujërat e tij të kristalta dhe peizazhin e gjelbëruar përreth.
Ndërsa Butrinti vlerësohet për ndërthurjen e trashëgimisë arkeologjike me natyrën, ku vizitorët mund të eksplorojnë rrënojat antike, teatrin, fortifikimet dhe monumentet e tjera përgjatë shtigjeve të parkut.
Artikulli propozon edhe një itinerar treditor për turistët që qëndrojnë në Sarandë: ditën e parë eksplorimin e Sarandës, Ksamilit dhe Butrintit; ditën e dytë vizitën në Syrin e Kaltër dhe Gjirokastër; ndërsa ditën e tretë një udhëtim përgjatë Rivierës Shqiptare, në drejtim të Himarës dhe Qafës së Llogorasë.
Sipas medias, pikërisht larmia e përvojave që ofron kjo zonë e bën jugun e Shqipërisë tërheqës për turistët që kërkojnë pushime aktive, duke mos u kufizuar vetëm te plazhi, por duke eksploruar edhe natyrën, historinë dhe peizazhet e vendit. /skyweb.al















