Lumi Vjosa ofron mundësi të shumta për të eksploruar natyrën dhe peizazhet e jugut të Shqipërisë, duke ndërthurur aktivitetet ujore me vizitat në monumentet historike dhe zonat e mbrojtura natyrore, shkruan Zayaan Marthinus në revistën dhe platformën online të udhëtimeve “Getaway Magazine”.
Udhëtimi mund të nisë në Përmet, me rafting në ujërat e Vjosës dhe një vizitë në burimet termale të Bënjës, të njohura për ujërat e ngrohta dhe peizazhin piktoresk pranë Urës së Kadiut.
Itinerari vijon përgjatë lumit, përmes Grykës së Këlcyrës dhe pranë Kalasë së Tepelenës, për të përfunduar në zonat ligatinore pranë Vlorës, ku ndodhen delta e Vjosës dhe Laguna e Nartës.
E shpallur Parku i parë Kombëtar i Lumit të Egër në Evropë në mars 2023, Vjosa shquhet për biodiversitetin dhe peizazhet që ndryshojnë nga zonat malore deri në bregdetin e Adriatikut.
Në Përmet, vizitorët mund të provojnë rafting, të vizitojnë burimet termale të Bënjës dhe të njihen me traditat kulinare të zonës, veçanërisht me glikonë tradicionale.
Në vijim, Gryka e Këlcyrës ofron pamje mbresëlënëse të lumit mes shpateve të larta gëlqerore, ndërsa Tepelena sjell një dimension historik përmes kalasë së lidhur me figurën e Ali Pashë Tepelenës.
Ndalesa e fundit është zona e Vjosë-Nartës, e cila është pjesë e Rezervatit të Biosferës së Luginës së Vjosës, shpallur nga UNESCO në vitin 2025. Laguna e Nartës përbën një habitat të rëndësishëm për shpendët shtegtarë, përfshirë flamingot.
Një tjetër atraksion është Zvërneci, ku ura e këmbësorëve lidh bregun me ishullin e vogël të pyllëzuar, ku ndodhet Manastiri i Shën Mërisë.
Për të përshkuar këtë itinerar rekomandohet një qëndrim prej tri ditësh, duke i kushtuar ditën e parë Përmetit dhe Bënjës, ditën e dytë Këlcyrës dhe Tepelenës, ndërsa ditën e tretë deltës së Vjosës, Lagunës së Nartës dhe Zvërnecit.
Ky udhëtim e kthen Vjosën në një destinacion që bashkon aventurën, historinë, traditat lokale dhe pasurinë natyrore të Shqipërisë. /skyweb.al
















