Edhe pse temperaturat kanë rënë dhe vjeshta ka mbuluar me ngjyra luginën e Langaricës, ujërat termale të Bënjës në Përmet vijojnë të jenë një destinacion i preferuar për turistët vendas dhe të huaj.
Kryeministri Edi Rama ka ndarë pamje nga burimet termale, të cilat janë frekuentuar nga vizitorët edhe gjatë kësaj fundjave nëntori.
Përveç ujërave të ngrohta, zona ofron mundësi për të eksploruar edhe Urën historike të Kadiut dhe kanionin e Langaricës, duke e kthyer Përmetin në një destinacion turistik edhe jashtë sezonit veror.
Ndërkohë, burimet termale po i nënshtrohen një procesi rikualifikimi, financuar nga qeveria shqiptare përmes Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Projekti parashikon përmirësimin e infrastrukturës dhe sistemimin e hapësirave për vizitorët, duke ruajtur karakteristikat natyrore të zonës.
Punimet ende nuk kanë përfunduar, ndërsa synimi është shndërrimi i Bënjës në një hapësirë rekreative me kushte më të mira për të gjitha grupmoshat. /skyweb.al
















