Kullat tradicionale shqiptare po marrin një funksion të ri, duke u kthyer në bujtina që synojnë të tërheqin vizitorë drejt zonave rurale dhe pak të eksploruara të vendit. Përmes projektit “Shtegu i Kullave”, disa prej këtyre ndërtesave historike po synohet të restaurohen dhe të shndërrohen në struktura pritëse, duke ndërthurur trashëgiminë kulturore me zhvillimin e turizmit.
Projekti, i zhvilluar nga Shoqata Shqiptare e Agroturizmit, është në fokus të një reportazhi të gazetës prestigjioze britanike “The Guardian”, me autor Nick St Oegger, i cili sjell përvojën e eksplorimit të këtyre zonave dhe qëndrimit në kullat tradicionale.
Itinerari përshkon disa prej rajoneve më pak të vizituara të Shqipërisë verilindore, përfshirë Mirditën, Matin, Bulqizën dhe Dibrën. Udhëtimi është konceptuar si një aventurë në këmbë, që zgjat nëntë ditë dhe shtrihet në më shumë se 160 kilometra, duke kaluar nëpër fshatra, pyje, pllaja malore dhe lugina lumenjsh. Në planet e ardhshme përfshihen edhe itinerare për biçikleta dhe automjete 4×4.
Në qendër të këtij projekti janë kullat prej guri, të cilat për shekuj me radhë kanë qenë pjesë e identitetit dhe mënyrës së jetesës në veri të vendit. Të ndërtuara për të mbrojtur familjet nga konfliktet dhe për të strehuar udhëtarët, ato përfaqësojnë një trashëgimi arkitekturore që rrezikon të humbasë, për shkak të braktisjes së zonave rurale dhe emigrimit të banorëve drejt qyteteve.
Gjatë regjimit komunist, shumë prej kullave u konfiskuan, ndërsa një pjesë e tyre u dëmtuan ose mbetën pa mirëmbajtje. Pas viteve ’90, largimi i popullsisë nga fshatrat bëri që shumë prej këtyre ndërtesave të mbeteshin të pabanuara.
Nik Nikolli, drejtues i muzeut dhe qendrës kulturore “Infokulla” në Rubik, shprehet se boshatisja e fshatrave po rrezikon edhe vazhdimësinë e traditave vendase. Sipas tij, në disa prej vendbanimeve përgjatë shtegut kanë mbetur vetëm një ose dy familje.
Reportazhi i “The Guardian” sjell në vëmendje edhe mikpritjen që vazhdon të karakterizojë banorët. Gjatë udhëtimit, autori dhe guida e tij ndalen vazhdimisht në shtëpitë e vendasve, ku u ofrohen kafe, fruta të freskëta dhe produkte të zonës. Bujqësia mbetet aktiviteti kryesor ekonomik, ndërsa takimet me banorët u japin vizitorëve mundësinë të njihen me historitë dhe zakonet e këtyre komuniteteve.
Përmes “Shtegut të Kullave”, Shqipëria synon të promovojë një formë turizmi që shkon përtej destinacioneve të njohura, duke vënë në pah trashëgiminë, jetën rurale dhe mikpritjen tradicionale, ndërsa u jep një mundësi të re zhvillimi fshatrave që po përballen me braktisjen.















