Inteligjenca artificiale po fiton gjithnjë e më shumë terren në industrinë e turizmit, duke ndryshuar mënyrën se si udhëtarët kërkojnë destinacione, krahasojnë çmime dhe planifikojnë pushimet. Sipas një raporti të Amadeus, viti 2032 mund të shënojë një transformim të rëndësishëm të udhëtimeve, ku AI do të luajë një rol qendror në organizimin e përvojave turistike.
Të dhënat e IATA-s tregojnë se 49% e udhëtarëve e kanë përdorur tashmë inteligjencën artificiale për planifikimin e udhëtimeve, ndërsa 59% e përdorin për informacion dhe rekomandime, sipas studimit të TOURISE dhe Euromonitor International.
Edhe Booking.com evidenton interesin në rritje për këtë teknologji. Sipas Global AI Sentiment Report 2025, 89% e udhëtarëve dëshirojnë ta përdorin inteligjencën artificiale në planet e tyre të ardhshme të udhëtimit. Megjithatë, vetëm 12% do të ndiheshin rehat nëse AI do të merrte vendime plotësisht në emër të tyre. Raporti, i bazuar në përgjigjet e 37 mijë konsumatorëve nga 33 tregje, tregon se besimi dhe kontrolli njerëzor mbeten thelbësorë.
Ekspertët parashikojnë se AI do të bëhet një asistente gjithnjë e më e rëndësishme gjatë gjithë udhëtimit, nga frymëzimi dhe rezervimet deri te rekomandimet në destinacion. Megjithatë, saktësia e informacionit, privatësia dhe siguria do të jenë vendimtare për rritjen e besimit të turistëve.
E ardhmja e turizmit pritet të jetë gjithnjë e më digjitale, por inteligjenca artificiale nuk do ta zëvendësojë domosdoshmërisht faktorin njerëzor. Sfida do të jetë kombinimi i teknologjisë me besimin, kontrollin dhe përvojën personale të udhëtarëve. /skyweb.al
















