Turizmi shqiptar ka regjistruar një rënie të fortë gjatë muajit tetor 2026, duke ndërprerë ecurinë pozitive të hyrjeve të shtetasve të huaj që kishte karakterizuar pjesën më të madhe të vitit.
Sipas të dhënave më të fundit të Institutit të Statistikave (INSTAT), gjatë tetorit në Shqipëri hynë 795.503 shtetas të huaj, nga 908.642 që ishin regjistruar në të njëjtin muaj të vitit 2025.
Kjo përfaqëson një rënie prej 12,5%, ose 113.139 hyrje më pak krahasuar me një vit më parë, një tkurrje e konsiderueshme për një periudhë kur sektori turistik synon zgjatjen e sezonit përtej muajve të verës.
Rënia ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në ecurinë e përgjithshme të hyrjeve në vend.
Gjatë tetorit 2026, në Shqipëri hynë gjithsej 1.457.940 shtetas shqiptarë dhe të huaj, duke shënuar një rënie prej 7,6% krahasuar me tetorin e vitit të kaluar. Ndërkohë, hyrjet e shtetasve shqiptarë u ulën me vetëm 0,9%, çka tregon se pjesa dërrmuese e tkurrjes së regjistruar gjatë muajit lidhet me lëvizjet e shtetasve të huaj.
Tetori negativ frenon rritjen e përgjithshme të vitit
Megjithëse hyrjet e shtetasve të huaj mbeten në territor pozitiv për periudhën janar–tetor, rënia e muajit të fundit ka ngadalësuar ndjeshëm ritmin e rritjes.
Sipas INSTAT, gjatë dhjetë muajve të parë të vitit 2026 u regjistruan 11.525.894 hyrje të shtetasve të huaj, kundrejt 11.137.328 në të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Rritja për këtë periudhë rezulton 3,5%, ndërsa në përfundim të nëntëmujorit kishte qenë rreth 4,9%.
Kjo do të thotë se vetëm rezultati negativ i tetorit e ka ulur me rreth 1,4 pikë përqindjeje ritmin e rritjes së hyrjeve të të huajve që ishte regjistruar deri në shtator.
Megjithatë, në terma absolutë, Shqipëria ka regjistruar 388.566 hyrje më shumë të shtetasve të huaj gjatë periudhës janar–tetor, krahasuar me një vit më parë.
Zhvillimi i tetorit ngre pikëpyetje mbi qëndrueshmërinë e rritjes së turizmit jashtë sezonit veror dhe aftësinë e sektorit për të ruajtur flukset e vizitorëve gjatë vjeshtës dhe dimrit.
INSTAT evidenton probleme me statistikat e detajuara
Një tjetër element i rëndësishëm i publikimit është se INSTAT ka konstatuar mospërputhje në disa tregues të detajuar të lëvizjeve të shtetasve, të raportuar nga burimi administrativ.
Për këtë arsye, institucioni ka vendosur që statistikat e tetorit të publikohen përkohësisht vetëm në nivel të përgjithshëm, ndërsa po vijon procesi i verifikimit dhe harmonizimit të të dhënave me Policinë e Shtetit.
Mungesa e detajimit nuk lejon të përcaktohet se cilat tregje të huaja kanë ndikuar më shumë në rënien e tetorit dhe nëse tkurrja lidhet me udhëtimet turistike apo me kategori të tjera të lëvizjeve ndërkufitare.
Të dhënat e INSTAT matin hyrjet në pikat kufitare dhe jo numrin e turistëve unikë, pasi një shtetas i huaj mund të regjistrojë disa hyrje gjatë së njëjtës periudhë.
Pavarësisht kësaj, rënia prej 12,5% mbetet një sinjal negativ për ecurinë e lëvizjeve ndërkombëtare drejt Shqipërisë, në një kohë kur zgjatja e sezonit turistik është kthyer në një nga objektivat kryesore të sektorit. /skyweb.al















