Lumi Vjosa dhe pasuritë e tij natyrore janë në qendër të një reportazhi të revistës prestigjioze “National Geographic”. Përmes një udhëtimi nga burimi deri në derdhjen në det, eksploruesi Nick St. Oegger sjell peizazhet e veçanta, biodiversitetin dhe historitë e komuniteteve që jetojnë përgjatë një prej lumenjve të fundit të egër të Evropës.
Në reportazh, Vjosa paraqitet si një lumë që ka ruajtur rrjedhën e saj të lirë për më shumë se 250 kilometra në territorin shqiptar, pa diga dhe ndërhyrje që do të ndryshonin rrjedhën e saj natyrore.
Gjatë udhëtimit, eksploruesi ndalet në Grykën e Këlcyrës, ku takon sipërmarrës vendas që kanë ngritur biznese të lidhura me turizmin e aventurës. Raftingu dhe kajaku në Vjosë janë kthyer në një burim të rëndësishëm të ardhurash për komunitetin. Sipas një prej sipërmarrësve të intervistuar, rreth 400 familje përfitojnë ekonomikisht nga këto aktivitete.
Reportazhi sjell gjithashtu në vëmendje traditat dhe mjeshtërinë artizanale të trashëguar ndër breza, duke treguar lidhjen e ngushtë mes natyrës dhe jetës së banorëve të luginës.
Udhëtimi vijon drejt deltës së Vjosës dhe Lagunës së Nartës, ku lumi takohet me detin dhe krijon një ekosistem të pasur ligatinor. Ekologu vendas i prezanton eksploruesit biodiversitetin e zonës, ku janë identifikuar më shumë se 200 lloje shpendësh, përfshirë edhe flamingot.
Përmes këtij udhëtimi, “National Geographic” përcjell jo vetëm bukuritë natyrore të Vjosës, por edhe rëndësinë e ruajtjes së ekosistemit të saj dhe mundësitë që ky lumë krijon për zhvillimin e qëndrueshëm të komuniteteve lokale. /skyweb.al
















