Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të akordojë 35,15 miliardë lekë për zhvillimin e infrastrukturës rrugore gjatë vitit 2027. Investimet do të përqendrohen te projektet madhore, ndërtimi i akseve të reja dhe përmirësimi i lidhjeve rrugore në të gjithë vendin.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, përmes një videomesazhi, bëri të ditur se “ky është fondi që buxheti i akordon Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për zhvillimin e rrugëve”.
Dy prej projekteve kryesore, autostrada Tiranë–Durrës dhe aksi Tiranë–Ndroq–Plepa, do të financohen plotësisht nga buxheti i shtetit. Sipas ministrit, ky financim synon të përshpejtojë punimet dhe të mundësojë përfundimin e tyre në një kohë sa më të shkurtër.
Sa i përket projekteve të tjera, vëmendje e veçantë do t’i kushtohet Korridorit VIII dhe Korridorit Blu. Ky i fundit po zhvillohet përmes projekteve koncesionare, ku përfshihen akset Kashar–Rrogozhinë, Lekaj–Fier dhe Milot–Balldren.
“Korridori Blu po merr jetë përmes projekteve koncesionare, Kashar–Rrogozhinë, punimet e të cilit nisin në fund të këtij viti, Lekaj–Fier dhe Milot–Balldren, për të cilët jemi afër nënshkrimit të kontratës që i hap rrugën finalizimit të projektit të zbatimit dhe nisjes së punimeve”, bëri të ditur Karakaçi.
Në buxhetin e vitit 2027 janë parashikuar gjithashtu investime për projekte të reja, si hyrja veriore e Tiranës, që do të shmangë kalimin përmes Kamzës, rruga Berat–Skrapar dhe hyrja verilindore e kryeqytetit, e cila do të krijojë lidhjen me Rrugën e Arbrit.
Paralelisht, Autoriteti Rrugor Shqiptar po punon për hartimin e projekteve të tjera infrastrukturore, financimi i të cilave mbetet për t’u shqyrtuar.
“ARRSH po finalizon dhe po vijon punën për hartimin e projekteve të reja rrugore. Kemi në proces tri rrugë, për të cilat do të shqyrtohet mundësia e financimit: Koplik–Bogë–Theth, Rruga e Vjosës dhe lidhja Rrëshen–Mirditë”, theksoi ministri.
Sipas Karakaçit, synimi është krijimi i një infrastrukture rrugore moderne, më të sigurt dhe të qëndrueshme, që përmirëson lidhjet mes qyteteve dhe rajoneve, si dhe forcon integrimin e Shqipërisë në rrjetet evropiane të transportit.
“Ky është një buxhet që nuk mbështet vetëm investimet e vitit 2027, por edhe vizionin dhe strategjinë tonë afatgjatë për zhvillimin e infrastrukturës rrugore në Shqipëri”, përfundoi ministri.
















