Qeveria ka miratuar një fond prej rreth 209 milionë lekësh, ose 2.2 milionë eurosh, për kompensimin e shpenzimeve të karburantit të kompanive të autobusëve që operojnë në linjat qytetëse, rrethqytetëse dhe ndërqytetëse.
Sipas vendimit të miratuar më 5 nëntor, transportuesit do të përfitojnë 50 lekë për çdo litër karburanti të njohur për kompensim gjatë periudhës qershor–tetor 2026.
Paratë do të përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit. Kompanitë duhet të paraqesin kërkesën pranë administratës tatimore ku janë regjistruar, duke dokumentuar shpenzimet e kryera.
Afati për aplikim është i shkurtër. Kërkesat paraqiten pas datës 10 nëntor, ndërsa pranimi i tyre përfundon më 16 nëntor 2026.
Aplikimi bëhet vetëm një herë dhe duhet të shoqërohet me licencën e vlefshme të transportit, të dhënat identifikuese të biznesit, llogarinë bankare dhe faturat e furnizimit me karburant.
Transportuesit duhet të dorëzojnë faturat për periudhën mars–maj, që përdoret si bazë referimi, si edhe ato për pesë muajt që mbulon kompensimi. Vendimi e lidh tavanin e sasisë së kompensueshme me 110% të mesatares mujore të konsumit gjatë marsit–majit.
Kompanitë që ushtrojnë edhe aktivitete të tjera duhet të paraqesin dokumente shtesë për të veçuar karburantin e përdorur për transportin e udhëtarëve, përfshirë fletëdaljet sipas targave të mjeteve.
Administrata tatimore do të verifikojë dokumentacionin dhe mund të kryejë kontrolle në vend kur konstaton pasaktësi. Kërkesat me mangësi do të kthehen për plotësim brenda pesë ditëve të punës.
Pagesat do të kalojnë në llogaritë bankare të kompanive përfituese, pas miratimit të dokumentacionit dhe dërgimit të urdhërshpenzimeve pranë Thesarit. /skyweb.al
















