Qeveria ka miratuar ndryshime në hartën arkeologjike të Sarandës, duke ndërhyrë në vendimin që përcakton zonimin dhe mbrojtjen e qytetit, Kalasë së Lëkurësit dhe Manastirit të 40 Shenjtorëve. Çfarë ndryshon në territor dhe cilat prona përfshin harta e miratuar?
Vendimi i marrë më 5 nëntor parashikon zëvendësimin e hartës dhe koordinatave të zonës arkeologjike “B” të qytetit të Sarandës. Gjithashtu, zëvendësohen koordinatat e zonës arkeologjike “A”, në Kornizën Referuese Gjeodezike Shqiptare.
Ndryshimet bëhen në VKM-në nr.730, të dhjetorit 2023, e cila shpalli pasuri kulturore të paluajtshme zonat arkeologjike të Sarandës, Kalasë së Lëkurësit dhe Manastirit të 40 Shenjtorëve, duke miratuar edhe rregullat për ndërhyrjet në to.
Megjithëse akti përfshin të tre këto territore, dispozitat e ndryshuara emërtojnë konkretisht zonat “A” dhe “B” të qytetit të Sarandës.
Pesha e vendimit lidhet me regjimin që zbatohet mbi pronat brenda zonave të mbrojtura. Plani i vitit 2023 përcakton ndërhyrje të kufizuara në zonën “A”, ndërsa në zonën “B” lejon edhe ndërtime të reja, pas miratimit nga autoritetet e trashëgimisë dhe kryerjes së testimeve arkeologjike përkatëse.
Për këtë arsye, zëvendësimi i hartës kërkon shpjegim të qartë për sipërfaqet dhe parcelat që përfshin, si edhe për ndryshimet kundrejt zonimit të mëparshëm.
Teksti i vendimit përcakton zëvendësimin e dokumentacionit, por nuk jep një arsyetim përse nevojitet kjo ndërhyrje dhe çfarë efekti ka mbi territorin e mbrojtur, gjë e cila duhet të dalë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës ngarkohet të regjistrojë vendimin, ndërsa Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor duhet të publikojë hartën e zonës “B” në Gjeoportalin Kombëtar.
Transparenca për këtë ndryshim kërkon që harta e re të paraqitet krahas asaj të mëparshme, së bashku me arsyetimin teknik dhe arkeologjik. Pikërisht ky krahasim do të tregojë nëse ndryshojnë kufijtë e mbrojtjes dhe si preken pronat përkatëse. /skyweb.al
















