Një sistem i inteligjencës artificiale, i njohur me emrin “Artex”, po përdoret për të kryer sulme kibernetike ndaj disa prej institucioneve më të rëndësishme në botë, duke u mundësuar edhe hakerëve me pak përvojë të depërtojnë në sisteme të mbrojtura.
Sipas gazetës britanike “The Independent”, programi është lidhur me sulmin e fundit kibernetik ndaj Agjencisë Qendrore të Inteligjencës amerikane (CIA), si dhe me sulme ndaj bankave dhe institucioneve të tjera të rëndësishme.
Microsoft paralajmëron se Artex është përdorur për të kërkuar informacione konfidenciale, për të cenuar zinxhirët e furnizimit dhe për të identifikuar dobësi në sistemet e lidhura me internetin.
Ajo që e bën veçanërisht të rrezikshëm këtë program është aftësia për të vepruar në mënyrë autonome, me ndërhyrje minimale nga njeriu.
Përmes disa agjentëve të inteligjencës artificiale që komunikojnë me njëri-tjetrin, sistemi është në gjendje të analizojë objektivat, të identifikojë dobësitë e sigurisë dhe të ndërmarrë sulme kibernetike.
Sipas Microsoft, në varësi të nivelit të mbrojtjes së objektivit, programi mund të kalojë nga identifikimi i dobësive deri te depërtimi në sistemet e një kompanie brenda pak minutash.
Artex u shfaq për herë të parë në korrik të këtij viti, kur një përdorues anonim e publikoi në platformën GitHub. Pavarësisht heqjes së tij nga platforma, programi është përhapur me shpejtësi në internet.
Sipas kompanisë së sigurisë kibernetike Infrawatch, aktualisht qarkullojnë më shumë se 130 versione të këtij programi.
Një tjetër problem është se Artex nuk varet nga një model i vetëm i inteligjencës artificiale, duke qenë në gjendje të përdorë edhe modele që nuk kanë kufizimet e sigurisë të vendosura nga kompanitë e mëdha teknologjike.
Përhapja e këtyre programeve rrezikon të ndryshojë rrënjësisht natyrën e kriminalitetit kibernetik. Sulme që më parë kërkonin njohuri të avancuara teknike, specialistë dhe kohë të konsiderueshme, tashmë mund të automatizohen dhe të realizohen në një shkallë shumë më të gjerë. /skyweb.al















