Ish-ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali, ka deklaruar se largimi i saj nga qeveria nuk kishte lidhje me performancën në detyrë, por me frikën e kryeministrit Edi Rama se ajo mund të synonte drejtimin e vendit.
Në një intervistë përballë gazetarit Blendi Fevziu në emisionin “Opinion”, Spiropali tha se brenda Partisë Socialiste ishte krijuar qëllimisht një fabul për një puç kundër kryeministrit, për të shmangur përgjegjësinë për skandalet që po shpërthenin.
“Mua nuk më hoqën nga detyra si ministre e Jashtme për shkak të detyrës, sepse atë e bëja mirë. Por më hoqi Edi Rama, sepse u krijua një fabul puçi për të mos mbajtur përgjegjësi për skandalet që po plasnin”, deklaroi Spiropali.
Ish-ministrja hodhi poshtë pretendimet se kishte diskutuar me ndërkombëtarët për mundësinë e zëvendësimit të Ramës në krye të qeverisë.
“Jo, foli me ndërkombëtarët, jo ata më duan mua në krye të vendit dhe çmendurira si këto”, u shpreh ajo.
Spiropali, duke folur sikur të mos kishte qenë në krye të grupit që mbështeten këtë lloj qeverisje që ajo shan sot, këmbënguli se ishte bërë viktimë e thashethemeve dhe intrigave brenda Partisë Socialiste, të cilat, sipas saj, çuan në largimin nga kabineti qeveritar.
Deklaratat vijnë pak ditë pas përjashtimit të Spiropalit nga grupi parlamentar socialist, ndërsa ish-ministrja ka shprehur gatishmërinë për të garuar përballë Ramës për drejtimin e Partisë Socialiste.















