Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka njoftuar një ndryshim në drejtimin e Drejtorisë së Çerdheve dhe Kopshteve. Përmes një deklarate të publikuar në rrjetet sociale, nga burgu, Veliaj bëri të ditur se Arjola Byzyka do të marrë drejtimin e kësaj drejtorie, duke zëvendësuar Zhanetën, të cilën e falënderoi për 13 vitet e bashkëpunimit dhe kontributin e dhënë.
Veliaj e cilësoi Byzykën si një profesioniste të përkushtuar, nënë të dashur dhe aktiviste të palodhur, duke shprehur besimin se ajo do të vijojë punën e nisur ndër vite.
Në të njëjtën deklaratë, Veliaj bëri edhe një njoftim për familjet e Tiranës, duke premtuar se nga viti 2027 çerdhet dhe kopshtet do të ofrohen falas. Sipas tij, kjo nismë synon të mbështesë prindërit dhe të krijojë më shumë mundësi për fëmijët.















