Të gjitha bizneset që gjatë vitit 2026 kanë realizuar një xhiro mbi 5 milionë lekë do të përfshihen automatikisht në skemën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), duke filluar nga 1 janari 2027.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka nisur zyrtarisht informimin e bizneseve për uljen e pragut të regjistrimit të detyrueshëm në TVSH nga 10 milionë në 5 milionë lekë qarkullim vjetor.
Sipas njoftimit të administratës tatimore, regjistrimi i bizneseve në skemën e TVSH-së do të kryhet automatikisht nga Tatimet, pa qenë e nevojshme që subjektet të paraqesin një kërkesë.
Përfshirja në skemë do të bëhet mbi bazën e xhiros së realizuar gjatë vitit 2026, çka do të thotë se bizneset që kanë kaluar pragun prej 5 milionë lekësh duhet të përgatiten që tani për detyrimet e reja tatimore.
Subjektet që përfshihen në skemën e TVSH-së duhet të dorëzojnë inventarin e mallrave, për të cilin do të gëzojnë të drejtën e kreditimit të TVSH-së, sipas kushteve ligjore.
Gjithashtu, bizneset duhet të pajisen me certifikatë elektronike dhe programet e nevojshme për faturimin, ose të përditësojnë sistemet ekzistuese, në mënyrë që të pasqyrojnë ndryshimin e statusit të tyre tatimor.
Nga janari, këto subjekte duhet të përgatiten edhe për deklarimin dhe pagesën mujore të detyrimeve të TVSH-së.
Ulja me 50% e pragut të regjistrimit zgjeron ndjeshëm bazën e bizneseve që përfshihen në skemën e TVSH-së, duke prekur edhe subjektet me një qarkullim mesatar mujor prej pak më shumë se 416 mijë lekësh.
Administrata Tatimore njofton se gjatë kësaj periudhe do t’u ofrojë bizneseve udhëzime dhe asistencë për përmbushjen e detyrimeve të reja.















