Nga 1 gushti 2027, fermat e mbarështimit të pulave për mish, fermat e viçave dhe thertoret në Shqipëri do të duhet të zbatojnë rregullat e rishikuara për mirëqenien e kafshëve, kushtet e mbajtjes së tyre dhe procedurat e therjes.
Ministria e Bujqësisë ka miratuar tre akte, të cilat përcaktojnë standardet teknike që duhet të respektojnë bizneset e këtyre sektorëve, si dhe kompetencat e institucioneve për kontrollin e tyre.
Për fermat që mbarështojnë pula për prodhimin e mishit, dendësia maksimale përcaktohet në 33 kilogramë peshë të gjallë të shpendëve për metër katror, ndërsa në raste të posaçme, sipas kushteve të përcaktuara në rregullore, lejohet deri në 39 kilogramë për metër katror.
Personat përgjegjës për mbarështimin e shpendëve duhet të pajisen me certifikatë që vërteton përfundimin e një kursi trajnimi ose njohjen e përvojës së tyre profesionale.
Ndërkohë, për fermat e viçave parashikohen kërkesa për ndriçimin, higjienën, furnizimin me ujë dhe hapësirat ku mbahen kafshët. Ndalohet mbajtja e përhershme e viçave në errësirë, ndërsa bokset individuale duhet të mundësojnë kontaktin vizual dhe fizik ndërmjet kafshëve, me përjashtim të rasteve të izolimit për shkak të sëmundjeve.
Kufizohet gjithashtu mbajtja e viçave të lidhur, duke e lejuar atë vetëm në kushte të caktuara gjatë ushqyerjes dhe për jo më shumë se një orë.
Edhe viçat që importohen në Shqipëri duhet të shoqërohen me certifikatë nga autoritetet e vendit të origjinës, që vërteton se kafshët janë trajtuar sipas standardeve të barasvlershme me ato të Bashkimit Europian.
Ndryshime parashikohen edhe për thertoret, ku operatorët duhet të caktojnë një person përgjegjës për mirëqenien e kafshëve dhe respektimin e procedurave gjatë therjes së tyre.
Autoritetet kompetente do të kenë të drejtë të kërkojnë ngadalësimin apo ndalimin e prodhimit në thertore në rast të konstatimit të shkeljeve, të urdhërojnë shtimin e kontrolleve dhe të pezullojnë ose të tërheqin certifikatat e kompetencës së personelit.
Rregullat e rishikuara mund të sjellin kosto shtesë për bizneset që nuk i plotësojnë aktualisht standardet, veçanërisht për përshtatjen e ambienteve, modernizimin e pajisjeve dhe trajnimin e punonjësve. /skyweb.al















