Kompanitë private që marrin përsipër realizimin e projekteve përmes partneritetit publik-privat (PPP) mund të përfitojnë garanci nga shteti për një nivel minimal të ardhurash, duke transferuar një pjesë të riskut financiar të investimit te buxheti i shtetit.
Qeveria ka miratuar rregullat që përcaktojnë format e mbështetjes financiare për kontratat e partneritetit publik-privat, si dhe risqet që mund të marrë përsipër shteti gjatë realizimit të këtyre projekteve.
Vendimi parashikon shprehimisht mundësinë e garantimit të një niveli minimal të ardhurash për kompanitë private.
Nëse një kompani ndërton një autostradë me pagesë dhe numri i automjeteve që përdorin rrugën rezulton më i ulët se parashikimet, diferenca deri në nivelin e garantuar të të ardhurave mund të mbulohet nga buxheti i shtetit, nëse kontrata përmban një klauzolë të tillë.
Krahas garantimit të të ardhurave, kompanitë mund të përfitojnë subvencione, financim të një pjese të investimit nga buxheti, pagesa për mirëmbajtjen dhe disponueshmërinë e infrastrukturës, si dhe të drejtën e përdorimit të pronave publike, sipas kushteve përkatëse.
Vendimi parashikon gjithashtu mundësinë e kompensimit financiar të kompanive në rast se ndryshimet ligjore apo rregullatore ndikojnë në kontratat e tyre dhe një kompensim i tillë lejohet nga ligji dhe kontrata.
Shteti mund të marrë përsipër edhe një pjesë të risqeve që lidhen me ecurinë e ekonomisë, nivelin e kërkesës për shërbimet, sigurimin e pronave, pajisjen me leje apo ngjarjet e forcës madhore.
Mbështetja financiare për secilin projekt do të miratohet nga Këshilli i Ministrave, pas marrjes së dakordësisë së ministrit të Financave, i cili duhet të vlerësojë ndikimin e mundshëm në financat publike.
Ndryshe nga pagesat e zakonshme buxhetore, garancitë për të ardhurat minimale krijojnë detyrime potenciale, të cilat mund të kthehen në shpenzime konkrete edhe shumë vite pas nënshkrimit të kontratës.
Vendimi përcakton se marrja përsipër e këtyre risqeve duhet të argumentohet për secilin projekt dhe nuk duhet të shërbejë për transferimin automatik te shteti të humbjeve që i takojnë partnerit privat.
Për financat publike, rëndësi do të ketë niveli i të ardhurave që shteti do t’u garantojë kompanive dhe ekspozimi maksimal i buxhetit në rast se projektet nuk rezultojnë aq fitimprurëse sa ishte parashikuar. /skyweb.al















